Ministria e Transformimit Digjital dhe VISA nënshkruan Memorandum për Bashkëpunim me të cilin vendoset një kornizë për aktivitete të përbashkëta të orientuara drejt lehtësimit të ndërveprimit digjital ndërmjet administratës dhe qytetarëve, avancimit të shërbimeve digjitale, vendosjes dhe zgjerimit të pranimit dhe realizimit të pagesave digjitale aty ku është e nevojshme, si dhe rritjes së qasshmërisë së shërbimeve elektronike shtetërore për qytetarët dhe bizneset.
Bashkëpunimi do të fokusohet në zhvillimin e mëtejshëm të funksionaliteteve për pagesa në Portalin Kombëtar për Shërbime Elektronike Uslugi.gov.mk dhe aplikacionin celular mUslugi, zhvillimin e infrastrukturës, si dhe promovimin e e-shërbimeve dhe mundësive për pagesa elektronike ndër qytetarë, komunitetin e biznesit dhe administratën publike.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, theksoi se partneriteti me Visa është një hap i rëndësishëm përpara në ndërtimin e një administrate më efikase dhe të orientuar drejt përdoruesit:
“Me këtë Memorandum hapim një kapitull të ri në avancimin e shërbimeve publike digjitale me theks në mënyra moderne dhe të sigurta pagese. Qëllimi ynë është që qytetarët dhe bizneset të marrin shërbime më të shpejta, më pak barriera administrative dhe më shumë funksionalitete online, përmes uslugi.gov.mk dhe m.Uslugi, por edhe në sportelet aty ku është e nevojshme. Ky është një hap konkret drejt një shteti që funksionon më thjeshtë, më efikas dhe në mënyrë digjitale.”
Ana Drashkoviq, nënkryetare dhe drejtoreshë e përgjithshme e Visa për Evropën Juglindore, theksoi:
“Përmes këtij Memorandumi për Mirëkuptim, Visa, si lider global në pagesat digjitale dhe inovator i besueshëm në teknologji, e konfirmon përkushtimin e saj për të mbështetur Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në përshpejtimin e transformimit digjital të vendit. Për ne është nder që Ministria e Transformimit Digjital e njeh Visa-n si partner strategjik në forcimin e mëtejshëm të pranimit të pagesave digjitale në institucionet publike, avancim në miratimin e shërbimeve të e-qeverisë dhe promovimin e funksionaliteteve të sigurta dhe të pandërprera të pagesave digjitale ndër qytetarët, bizneset dhe nëpunësit publik. Me kënaqësi të veçantë e theksojmë portalin për e-shërbime dhe aplikacionin celular m.Uslugi, të cilat përfaqësojnë përparim të rëndësishëm në mundësimin e qasjes më të shpejtë, të pandërprerë dhe të sigurt në shërbimet publike. Këto zgjidhje do të ndihmojnë në thjeshtimin e proceseve administrative të përditshme dhe do të mundësojnë një përvojë digjitale më efikase dhe të orientuar drejt përdoruesit për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.”
Memorandumi është përkushtim i përbashkët për avancimin e zgjidhjeve digjitale dhe zhvillimin e funksionaliteteve që do të rrisin qasshmërinë dhe përdorimin praktik të shërbimeve elektronike shtetërore, përfshirë edhe përmes vendosjes së pagesave moderne digjitale.