Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Ballkani Perëndimor ka potencial – nevojitet besim për t’u shndërruar në rritje, tha Durmishi në “Kosovo Finance Forum 2026”

Ballkani Perëndimor ka potencial – nevojitet besim për t’u shndërruar në rritje, tha Durmishi në “Kosovo Finance Forum 2026”

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mori pjesë në “Kosovo Finance Forum 2026”, ku u drejtua me temën “Ndërtimi i besimit në tregjet financiare në Ballkanin Perëndimor”.

Në fjalimin e tij, ministri Durmishi theksoi se besimi është parakusht kyç për investime, zhvillim ekonomik dhe stabilitet, veçanërisht në kohë të ndryshimeve dinamike ekonomike dhe gjeopolitike. Ai nënvizoi se integrimi evropian mbetet qëllim strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shtytës kryesor i reformave ekonomike, të orientuara drejt krijimit të një ekonomie të parashikueshme, transparente dhe konkurruese.

Ministri theksoi se qasja në financa është thelbësore për zhvillimin industrial, ndërsa Qeveria po punon në mënyrë aktive për krijimin e politikave që nxisin investimet, hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e industrive moderne. Në këtë drejtim, fokusi është vendosur te transformimi digjital dhe ai i gjelbër, si shtytës kryesorë të rritjes ekonomike.

Durmishi informoi se përmes instrumenteve të reja financiare, granteve dhe mekanizmave të bashkëinvestimit lehtësohet qasja në kapital, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë shtyllën e ekonomisë. Gjithashtu, me themelimin e Agjencisë për Inovacion dhe Zhvillim – INOVA, forcohet mbështetja institucionale për inovacion, kërkim dhe zhvillim.

Ai paralajmëroi se me ndryshimet në Ligjin për mbështetje financiare të investimeve, të cilat do të hyjnë në fuqi nga viti 2026, do të vendoset një sistem që do të stimulojë investimet me vlerë të shtuar të lartë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përparimin teknologjik.

Në pjesën për tregun e punës, ministri theksoi se janë siguruar 40 milionë euro për masa aktive të punësimit, të orientuara drejt të rinjve, të papunëve dhe mbështetjes së sipërmarrjes, me qëllim krijimin e vendeve cilësore dhe të qëndrueshme të punës.

Theks i veçantë iu dha sektorëve me vlerë të shtuar të lartë, si teknologjitë e informacionit dhe komunikimit (ICT) dhe sektori i proceseve të biznesit (BPO), të cilët janë njohur si kyç për transformimin ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë.

Ministri Durmishi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke vënë në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku mund të krijojnë një treg konkurrues dhe tërheqës për investitorët. Në këtë kontekst, Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor u vlerësua si një mundësi historike për përshpejtimin e reformave dhe zhvillimit ekonomik.

“Ballkani Perëndimor nuk është vetëm rajon – ai është potencial ekonomik. Detyra jonë është ta shndërrojmë këtë potencial në investime, inovacione dhe rritje të qëndrueshme”, theksoi ministri Durmishi.

Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbetet e përkushtuar në krijimin e politikave që do të forcojnë besimin në institucione, do të nxisin investimet dhe do të sigurojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Accessibility Menu