Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Do të nxis iniciativë rajonale për bashkëpunim për investime në energjetikë i cili do të ketë potencial prej disa miliardë eurosh

Mickoski: Do të nxis iniciativë rajonale për bashkëpunim për investime në energjetikë i cili do të ketë potencial prej disa miliardë eurosh

Kryeministri Hristijan Mickoski, në intervistën e emisionit “Fli nëse mundesh”, foli për mundësinë që rajoni të veprojë së bashku në drejtim të tërheqjes së investimeve të ardhshme në energjetikë për të përmbushur nevojat në rritje në botë.

Kryeministri rikujtoi pjesëmarrjen e tij të fundit në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Ai theksoi se në një nga diskutimet në panel pati mundësinë të marrë pjesë së bashku me Fatih Birol nga Agjencia Botërore e Energjisë, sekretarin amerikan të energjisë, drejtuesit kryesorë të AES dhe ARAMCO dhe tema kryesore e atij diskutimi ishin sfidat energjetike në të ardhmen në botë.

“Birol theksoi se nevojat për energji në botë në dekadën e ardhshme do të rriten, por nevojat për energji elektrike do të rriten dy herë e gjysmë më shpejt sesa nevojat totale për energji. Në dekadën e ardhshme do të mungojnë rreth 40.000 teravat kapacitet i instaluar në botë. Për të pasur një ide se çfarë do të thotë kjo shifër, ajo paraqet kapacitetin aktual të instaluar të SHBA-së, Kanadasë, BE-së dhe Japonisë së bashku. Aq kapacitet i ri i instaluar do të duhet të ndërtohet në botë në dekadën e ardhshme.

Nëse ne si shtet paraqitemi me iniciativë, ndoshta askush nuk do të na vërejë, por nëse paraqitemi si rajon i Ballkanit Perëndimor, duke qenë se linjat e transmetimit dhe gazsjellësit nuk kanë Shengen rregulla dhe nëse arrijmë të tërheqim vetëm 0,1% nga këto 40.000 teravat për të ndërtuar kapacitete të tilla këtu, kjo do të thotë 4 teravat. Kostoja për një megavat të instaluar është 1 milion dollarë amerikanë. Ne flasim për 4 milionë megavat, shumëzuar me 1 milion dollarë, që do të thotë 4 trilionë dollarë amerikanë. Nëse e ndajmë këtë në 10 vite, arrijmë në 400 miliardë dollarë amerikanë në vit. Prodhimi i brendshëm bruto nominal i të gjitha 6 vendeve të Ballkanit është 250 miliardë dollarë. Dhe unë po ju them se mjafton të arrijmë të sjellim vetëm 0,1% nga ajo që do t’i nevojitet njerëzimit në dekadën e ardhshme”, shpjegoi kryeministri.

Mickoski shtoi se ka biseduar me disa nga kolegët e tij për këtë mundësi dhe paralajmëroi se dëshiron ta diskutojë këtë me të gjitha vendet e rajonit në takimin e ardhshëm BE–Ballkani Perëndimor në Podgoricë dhe prej atje të dalë një iniciativë rajonale.

“Propozim më dha edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, që ta brendojmë me emrin SECI (Skopje Electricity Connectivity Initiative), kështu ta quajmë dhe këtu të organizojmë takimin e parë, ku të gjithë ne do të propozojmë projekte, të cilat më pas do të jenë pjesë e atij ‘pool’-i rajonal të projekteve që do t’ua ofrojmë investitorëve të huaj. Njëkohësisht të përcaktojmë prioritete, nga ana jonë ky është ekipi, nga ana shqiptare një ekip tjetër, nga ana serbe një ekip i tretë, malazez, kosovar, boshnjak, të formojmë ekipe dhe të shpërndahemi në qendra të ndryshme të botës për të prezantuar atë që ne ofrojmë si rajon në fushën e investimeve. Kjo është e dobishme edhe për Evropën, por edhe që ne si rajon të japim një mesazh politik se mund të bashkohemi për një qëllim më të lartë dhe mund të punojmë së bashku”, përfundoi Mickoski.

Accessibility Menu