"Dikush nga qeveria e mëparshme, një “butak”, ka bërë politikë të tillë dhe thënë në mënyrë popullore e ka sjellë “elefantin në dhomë”, të cilin ne nuk mund ta injorojmë, ajo politikë e qeverisë së kaluar na ka sjellë në pozitë të tillë në të cilën ndodhemi sot", vlerësoi kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën televizive, i pyetur se a nuk mund t'i shmangemi ndryshimit të Kushtetutës edhe në rast të ndryshimit të parimit të zgjerimit të BE-së me model anëtarësimi pa të drejtë vote.
"Kam qenë shumë i kujdesshëm në deklaratat e mia, se në ato rrethe në Bruksel po dëgjohet dhe po promovohet një ide e tillë, por se a do të ndodhë kjo – nuk e di. Ne, si politikanë të përgjegjshëm, çdo gjë që dëgjojmë në vende relevante nga njerëz relevantë duhet ta parashikojmë, ta procesojmë dhe të krijojmë strategji. E kështu si qeveri, ne krijojmë strategji, i parashikojmë të gjitha këto gjëra dhe mbi atë bazë reagojmë. Pra, ne jemi proaktivë, jo reaktivë. Por do ta përsëris për të disatën herë, ne nuk kemi ndërmend të jemi ind i butë si paraardhësit tanë. Nuk do të jemi butakë politikë. Si qeveri dhe si parti politike kemi një qëndrim shumë të qartë për këtë çështje. Dhe këtu askush në opinionin maqedonas, madje as në opinionin ndërkombëtar, nuk duhet të ketë dilemë. Çfarë presim ne? Nëse jemi viktimë e politikës butake të qeverisë së kaluar, e një politike që nuk e ka mbrojtur interesin, sepse kjo nuk është hap i guximshëm, por një marrëzi. Ata thonë se është guxim – jo, është marrëzi. Ne duhet të jemi ata që do të përpiqemi të bëjmë gjithçka për ta korrigjuar këtë, duke siguruar njëkohësisht garanci që nuk do të ketë më këtë lloj kushtëzimesh. Dhe njëkohësisht, nëse ne respektojmë, duhet të respektojnë të gjithë. Nëse për ne vlen parimi Pacta sunt servanda, duhet të vlejë për të gjithë", theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën televizive.
Sa i përket qëndrimit të Venko Filipçes nga LSDM-ja, i shprehur në intervistë për të njëjtin televizion, se nëse marrëveshja nuk zbatohet janë të mundshme incidente, Mickoski me qëndrim: "kjo është deklaratë e një politikani të papërgjegjshëm dhe se ky lloj politikash aventuriste dhe pakurrizorë nga opozita jo vetëm që nuk ndihmojnë, por përkundrazi dëmtojnë edhe më shumë."
"Maqedonia është anëtare e NATO-s, e cila në kuadër të Aleancës ka të drejtat dhe detyrimet e veta; së dyti, kjo është një Qeveri që qeveris në të gjithë territorin e shtetit dhe e di saktësisht çfarë ndodh në të gjithë territorin; së treti, kemi politikë parimore; së katërti, kemi politikë të harmonizuar të jashtme dhe të mbrojtjes me BE-në, vendi i parë nga rajoni që e bëri këtë; së pesti, Këshilli i Evropës vetëm neve, nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, na e ndërpreu postmonitorimin, që do të thotë se jemi demokraci e pjekur, respektohen të drejtat e njeriut dhe sundon shteti i së drejtës", theksoi Mickoski në intervistën për Ditarin e Sitelit.