Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski me lajm të mirë për qytetarët: Janë siguruar 100 autoambulanca të reja, investojmë në sistemin shëndetësor

Mickoski me lajm të mirë për qytetarët: Janë siguruar 100 autoambulanca të reja, investojmë në sistemin shëndetësor

Mirëdita edhe nga unë.

Sasho i tha të gjitha mjaft saktë dhe qartë.

Do të doja edhe një herë të shprehja dëshirën që këto automjete të përdoren sa më pak. Natyrisht, sa më pak të përdoren, aq më pak do të kemi raste që do të kërkojnë trajtim me këto autoamjete. Megjithatë, aty ku paraqitet nevoja, jam i bindur se me këto automjete do të mund të arrihet më shpejt dhe të ndërhyet me shumë më tepër saktësi, duke pasur parasysh pajisjet me të cilat disponojnë këto 100 automjete të reja.

Do të doja gjithashtu të theksoja disa çështje me rëndësi të veçantë, që kanë të bëjnë me shëndetësinë, por edhe me politikat e Qeverisë në përgjithësi.

Shumë gjëra janë lënë pas dore, shumë gjëra janë shkatërruar, shumë gjëra janë vjedhur, por detyra e kësaj Qeverie është të kompensojë atë që është shkatërruar, atë që është lënë pas dore dhe atë që është vjedhur. Ka ende shumë probleme për t’u zgjidhur, nuk është zgjidhur gjithçka me këto 100 automjete, natyrisht, gjendja është lehtësuar pak a shumë, por jo gjithçka është zgjidhur.

Por ajo që është e rëndësishme është se problemet po zgjidhen, një prioritet pas tjetrit, një problem pas tjetrit. Gjatë këtyre 27-28 muajve, krahas 120 automjeteve të reja që i siguroi Ministria e Punëve të Brendshme, pas dekadash neglizhence në këtë sektor, pas rreth 100 automjeteve që i mori „Posta“, si dhe 53 automjeteve që tashmë përdoren nga komunat për pastrimin e mbeturinave, tani erdhi radha edhe e këtyre 100 autoambulancave. Shumë shpejt nga sot, do të kemi edhe 150 autobusë të rinj elektrikë, të cilët gjithashtu do të shpërndahen nëpër qytetet e Maqedonisë.

E gjithë kjo ndoshta në shikim të parë nuk duket diçka shumë e madhe dhe e rëndësishme, por më besoni, në momentin kur do të keni nevojë, e gjithë kjo që po bëjmë dhe sigurojmë sot do të jetë tejet e rëndësishme, sepse deri më tani këto mundësi nuk kanë ekzistuar.

Dua gjithashtu të theksoj se prioriteti ynë në periudhën e ardhshme janë investimet në shëndetësi dhe ne do të vazhdojmë të investojmë. Ka shumë për të investuar dhe ndoshta nuk mund t'i zgjidhim të gjitha problemet brenda një mandati të plotë të një qeverie, por, projektet që planifikojmë për periudhën e ardhshme, për të cilat tashmë po i përmbyllim negociatat me partnerët tanë dhe institucionet financiare në fushën e shëndetësisë, janë projektet që do të financohen bashkërisht nga Banka Botërore dhe Banka Evropiane e Investimeve. Bëhet fjalë, më në fund, për Qendrën Klinike, përkatësisht Spitalin Klinik në Shtip, Shtëpinë e Shëndetit me veprimtari të zgjeruar në Kërçovë dhe Spitalin Klinik në Tetovë.

Bazuar në misionin e fundit të Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve, pres që miratimi formal për financimin e këtyre projekteve të bëhet nga fundi i tremujorit të parë të vitit të ardhshëm. Nëse gjithçka shkon siç duhet, menjëherë pas kësaj do të shpallet edhe tenderi, po ashtu, pres që projekti i parë nga këto projekte të fillojë të realizohet nga fundi i tremujorit të dytë ose në fillim të tremujorit të tretë të vitit të ardhshëm.

Një sërë projektesh që për dekada janë lënë pas dore ose për të cilat nuk është treguar aspak kujdes. Njëri prej tyre, për hir të së vërtetës, ishte nisur, pastaj ishte harruar, ishte plaçkitur dhe shkatërruar. E tani, imagjinoni se çfarë do të thotë të vazhdosh të punosh në një projekt që ka nisur para 15–20 vitesh, ndërkohë që në thelb duhet të mendosh se çfarë do të ndodhë në shëndetësi nga sot e deri në 10–15 vitet e ardhshme. Pra, teknologjia që ekzistonte para 10–15 vitesh tashmë është e vjetëruar, ndaj imagjinoni çfarë teknologjie duhet të parashikoni se do të zhvillohet gjatë 10–15 viteve të ardhshme.
Gjatë rifillimit, jemi fokusuar konkretisht në projektin e Spitalit Klinik në Shtip, duke synuar teknologji që do të jetë e zbatueshme në vitet 2035–2040. E gjithë kjo kërkon parashikim të saktë dhe bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, dhe vlerësoj se kemi arritur të gjejmë një zgjidhje që do të sjellë vlerë të shtuar për shëndetësinë e vendit.

Ndodhemi diku mes dy parcelave që po i shqyrtojmë dhe për të cilat po negociojmë për qendrën e re klinike. Njëra ndodhet përpara kësaj pishine që e shihni këtu, në të majtën tonë, e cila gjithashtu ishte lënë pas dore dhe ishte dëmtuar nga kalimi i kohës, ndërsa tani po rikonstruktohet. Parcela tjetër ndodhet prapa këtij rrëshqitësi që e shihni. Këto janë përafërsisht dy parcelat ku duhet të ndërtohet edhe qendra e re klinike. Pres që deri në fund të këtij viti t’i përfundojmë edhe këto negociata.

Vlerësojmë se ky lokacion, së bashku me lidhjen me spitalin ekzistues „8 Shtatori“, Pet qendrën dhe spitalin, përkatësisht poliklinikën „Bukureshti“, do të krijojë një ndërthurje të mirë dhe një qendër të mirëfilltë këtu.
Së bashku me Komunën e Karposhit po punojmë edhe për sigurimin e vendeve të reja të parkimit, sepse kur e gjithë kjo të vihet në funksion dhe të ndërtohet, do të ketë mbingarkesë. Prandaj, që tani po planifikojmë se si ta lehtësojmë edhe këtë pjesë të sfidave me të cilat do të përballen banorët e kësaj pjese të qytetit të Shkupit.
Pra, planifikohet dhe punohet. Nëse bëni një plan të mirë, kjo do të thotë se 90 për qind e punës është kryer me sukses. Nëse plani nuk është i mirë, atëherë as puna nuk do të jetë e mirë. Prandaj, ne përpiqemi që plani të jetë i mirë.

Sido që të jetë, edhe një herë, na priftë e mbara me këto 100 autoambulanca të reja dhe shpresoj të realizojmë edhe shumë projekte të tjera në shëndetësi. Dua të shpreh mirënjohjen time për ministrin, i cili me punën e tij të përkushtuar e çoi deri në fund këtë projekt dhe po i zhvillon të gjitha projektet për të cilat fola më parë; për njerëzit e Ministrisë së Shëndetësisë, për stafin e kabinetit tim, për punonjësit shëndetësorë, për mjekët dhe për të gjithë ata që tregojnë durim, sepse me të vërtetë punojnë në kushte ku ndonjëherë bëjnë përpjekje mbinjerëzore për t’i përballuar rrethanat në të cilat punojnë.

E di sa e vështirë është e gjithë kjo, por ata dëshmojnë se nuk është e pamundur dhe se gjithçka është e mundur, madje edhe të punohet në kushte të tilla. Si Qeveri, përpiqemi që edhe t’ua lehtësojmë punën.
Mirënjohje për deputetët e Kuvendit të Maqedonisë, të cilët përmes punës së tyre, amendamenteve dhe politikave që miratojnë përmes ligjeve në Kuvendin e Maqedonisë, mundësojnë prokurim më të shpejtë dhe ndërhyrje në sektorin e shëndetësisë.

Falënderim për të gjithë ata që kanë kontribuar, më falni nëse kam harruar dikë.
E rëndësishme është që kemi 100 autoambulanca të reja, diçka që, do të thosha, prej kohësh nuk është bërë për sistemin shëndetësor në Maqedoni. Shpresoj që të sigurojmë edhe 50 të tjera. Sasho, apo jo, për këtë biseduam. Nëse gjithçka shkon siç duhet, vitin e ardhshëm duhet të marrim edhe 50 autoambulanca të reja. Por, për këtë do të flasim më vonë. Le ta përfundojmë fillimisht edhe atë punë, pastaj të krenohemi edhe për këtë.
Edhe një herë, na priftë e mbara!
Faleminderit.

Accessibility Menu