“Për një kompani, koha e nevojshme për të marrë një dokument nuk është vetëm një çështje administrative, por një kosto e drejtpërdrejtë dhe një faktor që ndikon në konkurrueshmërinë e saj. Nëse institucioni vonohet, vonohet edhe kompania. Me shërbimet e reja elektronike po thjeshtojmë dhe përshpejtojmë procedurat, duke krijuar kushte më të mira për kompanitë që prodhojnë, eksportojnë dhe e lëvizin ekonominë e Maqedonisë”, theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Ministri Andonovski dhe drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Ivica Angelovski, promovuan sot dy shërbime të reja elektronike të Inspektoratit, të cilat tashmë janë të disponueshme përmes Portalit Kombëtar të Shërbimeve – uslugi.gov.mk:
-“Vërtetim i cilësisë – certifikatë për produkte bujqësore, përpunime dhe mallra”;
-“Vërtetim i cilësisë V1 – certifikatë për eksportin e verës”.
Shërbimet e reja janë të dedikuara për prodhuesit bujqësorë, përpunuesit, kantinat e verës dhe eksportuesit. Bëhet fjalë për procedura që lidhen me cilësinë e produkteve bujqësore dhe eksportin e verës, pra me sektorë që krijojnë vlerë vendore, sigurojnë vende pune dhe përfaqësojnë Maqedoninë në tregjet e huaja.
Me lidhjen e këtyre shërbimeve me Portalin Kombëtar, kompanitë, përveç në formë fizike, do të mund t’i marrin certifikatat edhe në formë elektronike, me të njëjtën fuqi juridike. Kjo e thjeshton të gjithë procedurën, shkurton kohën e nevojshme për marrjen e dokumenteve, eliminon nevojën për t’i tërhequr ato personalisht në Inspektorat dhe ul kostot administrative dhe financiare për kompanitë.
Është digjitalizuar edhe procedura e pagesës së taksave administrative. Në vend të pagesave me fletëpagesa në letër, kompanitë do të mund t’i kryejnë pagesat në mënyrë elektronike, përmes aplikacioneve të bankimit elektronik.
“Për ne, transformimi digjital nuk nënkupton vetëm futjen e teknologjisë së re. Ai paraqet ndryshim të mënyrës se si funksionon shteti dhe të marrëdhënies që institucionet kanë me qytetarët dhe kompanitë. Portalin Kombëtar uslugi.gov.mk po e zhvillojmë si pikën e vetme përmes së cilës shërbimet publike do të jenë të qasshme në mënyrë të thjeshtë, të sigurt dhe pa humbje të panevojshme kohe”, theksoi Andonovski.
Ministri shtoi se digjitalizimi ka rol të rëndësishëm edhe në rritjen e transparencës dhe uljen e rreziqeve nga korrupsioni. Kur procedurat janë digjitale, rregullat janë të përcaktuara paraprakisht dhe të barabarta për të gjithë, zvogëlohet kontakti i drejtpërdrejtë aty ku nuk është i nevojshëm, kufizohet hapësira për vendimmarrje subjektive dhe krijohet një gjurmë e qartë elektronike për veprimet e institucioneve.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Ivica Angelovski, prezantoi përfitimet konkrete, mënyrën e përdorimit të shërbimeve dhe procedurën për marrjen elektronike të certifikatave. Ai theksoi se digjitalizimi do të sigurojë shërbime më të shpejta, më efikase dhe me cilësi më të lartë për komunitetin e biznesit.
Shërbimet e reja janë rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Transformimit Digjital dhe Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, me mbështetjen e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Ministri Andonovski shprehu mirënjohje ndaj GIZ-it për mbështetjen e projektit për digjitalizimin e shërbimeve të reja kyçe për kompanitë.
Në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë, shërbimet e reja elektronike do t’i prezantohen edhe komunitetit të biznesit. Kompanive do t’u shpjegohet mënyra e përdorimit të tyre dhe përfitimet konkrete nga procedurat e digjitalizuara.
Ministria e Transformimit Digjital do të vazhdojë me ritëm të përshpejtuar digjitalizimin e shërbimeve që kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe ekonominë, me qëllim që shërbimet publike të jenë më të shpejta, më të thjeshta dhe më të qasshme, ndërsa institucionet më efikase, më të përgjegjshme dhe më transparente.