Mirëdita edhe nga unë,
Unë nuk kam çfarë të shtoj më shumë rreth specifikimit të pajisjeve dhe vëllimit të pajisjeve që janë pranuar si donacion nga ana e Bashkimit Evropian.
Më mbetet vetëm të falënderoj ambasadorin për përkushtimin e tij personal, Bashkimin Evropian që jep donacione dhe njeh cilësi e përkushtim te Armata maqedonase, si një armatë që është pjesë përbërëse e Aleancës së NATO-s.
Gjithashtu, do të dëshiroja të falënderoj kolegun tim nga Qeveria, ministrin e Mbrojtjes, zëvendësin, njerëzit e Ministrisë, për punën e tyre të përkushtuar.
Kuptohet, dua ta shfrytëzoj këtë rast për të vlerësuar punën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe ta falënderoj atë për punën dhe përkushtimin e tij të palodhshëm, në mënyrë që Armata jonë të duket kështu siç duket, të jetë konkurruese dhe e përgatitur.
Ishit dëshmitarë të një stërvitjeje të shkëlqyer. Falënderim për të gjithë ata eprorë që janë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm, pjesë e njësive, dhe kuptohet, falënderimi më i madh shkon për njerëzit, për ushtarët, të cilët të gjithë këtë që patë sot, e realizuan në mënyrë të përkryer.
Ne, si Qeveri, mbetemi të përkushtuar për t’i përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga Aleanca e NATO-s.
Para disa ditësh, vendin tonë e vizitoi Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, zoti Grinkeviç, i cili theksoi qartë se të gjitha projektet infrastrukturore që po i zbatojmë aktualisht, përfshirë edhe mjetet financiare që po ndajmë, përbëjnë shembull për shumë vende anëtare të NATO-s. Në rastin tonë, këto investime arrijnë deri në katër për qind, gjë që për ne paraqet një synim që do të përpiqemi ta ruajmë edhe në vitet në vijim.
Katër për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke pasur parasysh se PBB-ja nominale kohët e fundit po rritet me një normë prej tetë për qind ose më shumë, do të paraqesë një sfidë. Megjithatë, si Qeveri, prioriteti ynë është të investojmë në Armatën tonë maqedonase dhe ta bëjmë atë edhe më konkurruese, ndonëse mund të them se ajo tashmë është jashtëzakonisht konkurruese.
Kështu që, edhe një herë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë pjesëmarrësit dhe, siç thashë, të gjithë ata që kontribuojnë që sot Armata maqedonase të duket konkurruese sa ç’është sot.
Ju faleminderit.