Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme për pyetje të deputetëve theksoi se në Ligjin për përfaqësim të drejtë nuk janë të rëndësishme përqindjet, por cilësia dhe për këtë arsye pret mbështetje nga të gjithë deputetët. Ai theksoi se shteti ndërtohet kur mbështesim njëri-tjetrin, ndërsa lidhur me provimin e jurisprudencës tha se secili ka të drejtë ta përdorë gjuhën e vet amtare, por se dikush po përpiqet të krijojë konflikt etnik aty ku nuk ekziston dhe me këtë po jep shembull të keq.
"Për provimin e jurisprudencës, nëse e keni lexuar ligjin, do të lexoni se aty nuk është e rregulluar me ligj se në cilën gjuhë do të zhvillohet provimi, por këtë e rregullon ministri. Sa ministra të drejtësisë kanë qenë nga koalicioni që ju e mbështesni, pse nuk e kanë rregulluar? Sepse jeni hipokritë, sepse jeni patriotë nga AliExpress-i kur jeni në opozitë, ndërsa në qeveri promovoni agjenda të gjelbra ekologjike, ndërsa në opozitë doni të krijoni konflikt etnik aty ku nuk ekziston", deklaroi kryeministri Mickoski në përgjigje të pyetjes së deputetit Skender Rexhepi nga Fronti Evropian.
Kryeministri Mickoski po ashtu theksoi se juristët që duhet të luftojnë për sundimin e ligjit, gjatë protestës për provimin e jurisprudencës e shkelën ligjin dhe nuk e vendosën flamurin e shtetit në të cilin duhet të zhvillohet ai provim.
"Po lini shembull të keq për ata që vijnë pas jush. Ju jeni opozitë dhe mendoni se në këtë mënyrë do të tërhiqni vëmendje. Dëgjojeni fjalimin tim në Ditën e shenjtorëve iluministë Kirili dhe Metodi, ku qartë dhe zëshëm thashë se çfarë do të thotë gjuha amtare dhe se secili ka të drejtë ta përdorë gjuhën e vet amtare. Por ju vazhdimisht i humbni mundësitë dhe tani thoni se Komisioni i Venecias qenka ndonjë trup joformal, prapë si kryetar i Qeverisë duhet të them se distancohem nga qëndrimi i deputetit Skender Rexhepi sepse tregoi mosnjohje elementare", shtoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski sqaroi se në metodologjinë e re të negociatave ekzistojnë trupa që janë kyçe, ndërsa një prej tyre është Komisioni i Venecias. I dyti është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
"Komisioni i Venecias thotë nëse një ligj është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe së dyti, në atë Gjykatë Evropiane për të Drejtat e Njeriut qëndrojnë, mbledhin pluhur 14 aktgjykime për vëllezërit tanë maqedonas, komunitetin tonë në Bullgari, të cilat Bullgaria nuk i zbaton. Prisja të thoni se qëndroni pas bashkëqytetarëve tuaj maqedonas dhe së bashku do të luftojmë. Kështu vepron një mbështetës objektiv i bashkëjetesës në Maqedoninë multietnike, atdhe i imi dhe i juaji si maqedonas dhe shqiptar. Atdheu ynë i përbashkët kështu ndërtohet kur mbështesim njëri-tjetrin. Unë mbështes që të mos shikohemi përmes prizmit të përqindjeve dhe për këtë shumë shpejt në Kuvend do të keni mundësi ta votoni Ligjin për përfaqësim të drejtë, ku përqindjet nuk janë të rëndësishme, por cilësia. Pres mbështetje. Nuk dua t’i shoh njerëzit përmes përqindjeve, por përmes cilësisë dhe një optike objektive", theksoi kryeministri Mickoski.