Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot (më 27 tetor 2022) realizoi takim me Manul Saracin, Përfaqësues Special i Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.
Ministri Osmani shprehu kënaqësinë e madhe për rezultatin pozitiv të takimit ministror në kuadër të Procesit të Berlinit të mbajtur javën e kaluar, për Deklaratën e miratuar për implementimin e Tregut të Përbashkët Rajonal si dhe për nënshkrimin e paralajmëruar të Marrëveshjeve për njohjen e kualifikimeve/diplomave akademike, kualifikimeve profesionale dhe udhëtimeve me letërnjoftime në rajon, i cili pritet të nënshkruhet në Samitin, i cili do të mbahet më 3 nëntor, në Berlin.
“Procesi i Berlinit padyshim që vazhdon të jetë shtytës i rëndësishëm i proceseve reformuese në rajonin tonë” – theksoi Osmani.
Osmani shprehu falënderim për mbështetjen e pahamendshme të Gjermanisë për procesin euro integrues të Maqedonisë së Veriut dhe mbajti brifing për rrjedhën e skriningut, si fazë jashtëzakonisht domethënëse në procesin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi për dinamikën intensive të dialogut politik ndërmjet dy shteteve, që nënkupton ndërtimin e marrëdhënieve të fuqishme dhe të qëndrueshme me Gjermaninë.
“Fakti se Gjermania është partneri ynë më i madh politik dhe ekonomik është vetëm edhe një konfirmim i përkushtimit dhe interesimit për të qenë të pranishëm në rajon”- theksoi Osmani.
Të dy bashkëbiseduesit e theksuan rolin e rëndësishëm të NATO-s në ruajtjen e sigurisë evropiane dhe botërore në kontekstin gjeopolitik jostabil, si dhe rolin e rëndësishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si vend kryesues i OSBE-së në vitin 2023.