Kovaçevski: Nuk ekziston dokument me kërkesa të pranueshme vetëm për Bullgarinë

“Nuk duhet të ketë shqetësim se ekziston ndonjë dokument në të cilin janë të pranuar kërkesat vetëm nga njëra anë”, tha Kryeministri Kovaçevski për emisionin “Vetëm intervistë” në Kanal 5, lidhur me pyetjen se sa afër jemi rreth gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme të përbashkët me Republikën e Bullgarisë në kontekst të përpjekjeve të Presidentit Makron gjatë kryesimit të Francës për t’u bërë një hap drejt përpara drejt zgjerimit të BE-së.

“Përmendet edhe korniza e negociatave, por korniza negociuese është një dokument shumëpalësh të cilin e miratojnë të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe të cilin në fund duhet ta miratojmë edhe ne. “Është një dokument në lidhje me të cilin një pjesë  e vendeve evropiane nuk lejojnë bilateralizim të kornizës, duke marrë parasysh se korniza paraqet negociatat me BE-në dhe harmonizim, gjegjësisht rrugën drejt të cilit një shtet integrohet në BE”, tha Kryeministri.

Sa i përket deklaratës së Presidentit Makron dhe Presidentit të Këshillit Evropian Mishel, për krijimin e një bashkësie politike evropiane në të cilin do të ishin përfshirë  të gjitha vendet evropiane, që nuk janë anëtare të BE-së, Kryeministri Kovaçevski vlerësoi se ky propozim më tepër do t’i referohet shteteve të cilët duhet t’i përmbushin kriteret për fillimin e procesit të integrimit në BE si Ukraina, Moldavia, Gjorgjia.

“Ne praktikisht kemi proces që është përcaktuar pikërisht me propozimin e Presidentit Makron për aderim drejt BE-së përmes grumbullimit të kapitujve. Sa për ilustrim, ne tashmë kemi harmonizuar 45% të legjislacionit tonë  me BE-në. Nëse shikoni krahasimin e harmonizimit tonë dhe harmonizimit  me legjislacionin evropian kundrejt  vendeve fqinje që negociojnë edhe pas 10 vitesh, ne kemi harmonizim më të madh me legjislacionin evropian. Kemi plotësuar të gjitha kushtet lidhur me fillimin e negociatave, sa i përket çështjes së pajtueshmërisë dhe qëndrimit të institucioneve, për raportet pozitive. Nga ana jonë kemi bërë gjithçka”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Kovaçevski theksoi se qëndrimet e vendit tonë janë të dakorduara në deklaratën që e votoi Kuvendi dhe të cilën e kanë përkrahur të gjitha partitë politike dhe se këto janë qëndrimet që i përmbahet Qeveria në bisedimet me Republikën e Bullgarisë.

“Zgjidhjet e përbashkëta, siç thashë disa herë, duhet të bazohen në vlerat evropiane, në ruajtjen e dinjitetit të qytetarëve të të dyja vendeve pasi që vetëm kështu do të kemi bazë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe integrim të shpejtë në BE”, tha. Kryeministri Kovaçevski.