Kovaçevski në Procesin e Berlinit: Diversifikimi i energjisë dhe tranzicioni drejt burimeve të pastra të energjisë është investimi ynë në të ardhmen

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, së bashku me liderët e Ballkanit Perëndimor, morën pjesë dhe diskutuan sot në Sesionin për stabilitetin e energjisë dhe transformimin në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit në Gjermani.

Në Sesion, të gjithë pjesëmarrësit në diskutim theksuan se siguria energjetike e Ballkanit Perëndimor është po aq e rëndësishme sa edhe siguria energjetike e BE-së. Liderët theksuan se të gjithë po punojnë së bashku për të kapërcyer sfidat e krizës energjetike dhe se BE-ja do të jetë së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor në zgjidhjen e të gjitha problemeve që lidhen me krizën energjetike.

 
Kryeministri Kovaçevski në Sesion e energjisë tha se nevojitet bashkëpunim i fortë dhe i ngushtë i gjithë rajonit për të arritur qëllimet ambicioze për tranzicion energjetik dhe për t'i tejkaluar sfidat që na i imponon kriza ekonomike dhe energjetike. Fokusi duhet të jetë në gjetjen e përbashkët të alternativave për një furnizim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm me energji elektrike, por edhe duke synuar burimet e ripërtërishme të energjisë.
 
Kryeministri Kovaçevski theksoi se kjo krizë shumë shpejt na solli në vëmendje rëndësinë e prodhimit vendor të energjisë, por edhe nevojën për të pasur një plan rezervë në të ardhmen që do të na ndihmojë për të kapërcyer më lehtë situata të ngjashme, por edhe për të mbrojtur mjedisin jetësorë.  Si pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e vizionit për Ballkanin Perëndimor, kryeministri tregoi konceptin e tij për transformimin e energjisë përmes aplikimit të burimeve të ripërtërishme, burimeve efikase, si dhe praktikat dhe standardet konkurruese dhe neutrale ndaj klimës.
 
Agjenda e gjelbër e zbatuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut është një shtytës i rëndësishëm për vendin në kontekstin e krizës energjetike në të cilën ndodhemi. Vetëm në muajt e fundit, në Maqedoninë e Veriut filloi të funksionojë termocentrali më i madh fotovoltaik, i cili prodhon energji elektrike nga burimet vendase, nga dielli maqedonas dhe plotëson nevojat e shumë familjeve. Nga njëra anë, procedurat e thjeshtuara për vendosjen e fotovoltaikëve mundësojnë aplikimin më gjithëpërfshirës dhe më të gjerë të tyre, ndërsa qasja serioze e investimeve në fushën e energjisë me fokus të veçantë në burimet e ripwrtwrishme të energjisë, nga ana tjetër, mundëson intensifikimin e transformimin energjetik të vendit, por edhe të rajonit.

Në Samit, Kryeministri Kovaçevski tha se Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që miraton Strategjinë për zhvillimin e sektorit të energjisë bazuar në shtyllat e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së.

"Ne jemi gjithashtu vendi i parë që zbaton një projekt për zëvendësimin e termocentralit të vjetër me qymyr në "Oslomej" të Kërçovës me një termocentral fotovoltaik, si një hap konkret drejt tranzicionit energjetik të Maqedonisë së Veriut, duke treguar një iniciativë të fortë për dekarbonizimin të sektorit tonë të energjisë. Do të përmend edhe projektin tonë më domethënës për tranzicionin energjetik, në fazën e vlerësimit është ndërtimi i hidrocentralit pompues depozitues “Çebren”, Crna Reka, në vlerë prej më shumë se 800 milionë euro”, tha Kovaçevski.

Për realizimin e planeve të planifikuara, tha kryeministri Kovaçevski, nevojitet mbështetje e madhe përmes granteve në dispozicion dhe kredive të favorshme për projekte të reja dhe të punohet në plane efektive për një tranzicion të drejtë me praktikat më të mira në dispozicion.

“Transformimi i energjisë në tranzicionin drejt burimeve të pastra të energjisë, si dhe krijimi i një sistemi që do të mundësojë ekonomi rezistente ndaj klimës, është investimi ynë në të ardhmen”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.