“E kam të qartë se përvojat e vjetruara thonë se në politikë nuk ka miqësi, vetëm interesa. Por, unë dhe Aleksis Cipras vendosëm të tregojmë se nuk janë të gjitha stereotipat rregull dhe se kur thyhen krijohet energji për modele të njëjta të sjelljes dhe vendosjes së miqësive të reja dhe marrëdhënieve mes shteteve dhe politikanëve. Në këtë mënyrë veprojnë miqtë, që duan të gjejnë zgjidhje, kompromis dhe në këtë frymë arritëm deri te Marrëveshja e Prespës”, me këto fjalë Kryetari i Qeverisë Zoran Zaev u drejtua në hapjen zyrtare të “Prespa Forumit për Dialog”.
Si platformë inspiruar nga përfitimet e Marrëveshjes së Prespës “Prespa Forumi për Dialog” ka për qëllim t’u mundësojë vendeve, liderëve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë raporte afatgjate dhe të përforcojnë partneritetet.
Në hapjen zyrtare të forumit, i cili po mbahet në Ohër dhe Oteshevë me një numër të madh përmbajtjesh dhe në të cilin marrin pjesë qindra mysafirë të lartë, krerë të shteteve dhe qeverive nga rajoni, anëtarë të qeverive nga Ballkani Perëndimor dhe vendet e tjera evropiane, përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-ve, organizatat qytetare dhe media, Kryeministri Zaev falënderoi të gjithë të pranishmit që besuan në mundësinë e të dy vendeve për të gjetur një zgjidhje edhe kur shumë thanë se të gjitha opsionet ishin shteruar.
“Por, ja, sot, ne jemi NATO. Sot, Maqedonia e Veriut është pjesë e barabartë e aleatit më të fuqishëm në botë. Treguam se ndryshimi është i mundur. Nga një shtet i robëruar, ne jemi bërë një shembull bashkëkohor që të gjithë e quajnë një histori suksesi. Nga një shtet me prirje autoritare, me liri të mohuar ose pa lirinë e shprehjes dhe me liri të kufizuara mediatike, demokracia jonë është konsoliduar dhe po përparon çdo ditë. Sot, unë jam krenar që përmes "Forumit të Prespës për Dialog", ne jemi duke krijuar vlera të reja demokratike”, theksoi Kryeministri Zaev.
Nga perspektiva e sotme, shtoi ai, me të drejtë mund të them se në zgjidhjen e çështjes tre-dekadëshe me Greqinë, ne përdorëm një metodologji që nuk ishte e njohur deri atëherë.
“Kontesti mes Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së atëhershme ishte një precedent në historinë politike dhe për zgjidhjen e saj ishte e nevojshme të gjente një zgjidhje për të cilën nuk kishte asnjë shembull në historinë politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Nevojitej një zgjidhje inovative, e cila do të dalë jashtë kornizës. Dhe erdhëm deri në zgjidhje. Atëherë kur të gjithë thoshin se është e pamundur”, tha në fjalimin e tij Zaev.
Kryeministri Zaev theksoi se i kemi dhënë botës një Ballkan të ri. Evropian. Një Ballkan që, këtu, tregon synime dhe kapacitete për të qenë një pjesë e lirë, e lidhur, po aq e vlefshme dhe po aq e rëndësishme e botës së përparuar.
“Në kohëra të kthesave të mëdha globale dhe ideologjike, radikalizmit dhe pasigurisë, ne jemi bërë ofrues të zgjidhjeve dhe paqes. Ne sollëm shpresë. Nuk ka asgjë që një udhëheqës do të donte të linte pas për vendin e tij”, potencoi Kryeministri Zaev.
Ish Kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras, në pjesën e tij në panel tha se me Marrëveshjen e Prespës u bë një hap i madh i cili dërgoi një mesazh të fuqishëm deri te të gjithë në Ballkan.
"Një nga arsyet që kemi arritur Marrëveshje është sepse forcat progresive janë bashkuar dhe kanë vendosur të shkojnë për një zgjidhje me respekt për të tjerët dhe të drejtën ndërkombëtare.
Politikanët nacionalistë dhe konservatorë në situata të tilla vetëm ndërtojnë mure, herë pas here i pikturojnë me ngjyra të tjera, por nuk ndryshojnë asgjë thelbësore. Si politikanë përparimtarë, në vend të mureve, ne kemi vendosur të ndërtojmë ura dhe të japim kontributin tonë për paqe dhe stabilitet", tha Cipras.
Ai shtoi se tani është koha që BE-ja të fokusohet përsëri në Ballkanin Perëndimor dhe që Bullgaria të ndërmarrë hapin e madh për të treguar se së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor i përkasin të ardhmes.
Në panel, në kuadër të hapjes së "Forumit të Prespës për Dialog", u drejtua përmes lidhjes video në Internet edhe ambasadori Metju Nimic, i cili kushtoi 25 vite të punës së tij në zgjidhjen e kontestit mes Greqisë dhe vendit tonë dhe dha kontributin e tij në Marrëveshje e Prespës.
"Ishte një proces shumë i ndjeshëm që kërkonte durim dhe kohë. Nga perspektiva e sotme, ai është një model për zgjidhjen e shumë problemeve të tjera delikate sepse ishte një marrëveshje nga e cila të dy palët dolën fituese", tha ambasadori Nimic, duke shtuar se e njëjta formulë duhet të zbatohet në arritjen e një marrëveshje me Bullgarinë në një atmosferë të miqësisë dhe dialogut me respekt për identitetet e tjetrit.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti potencoi se të dyja marrëveshjes, Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe Marrëveshja e Prespës, konfirmuan se Ballkani nuk mundet gjithmonë të mbetet vrimë e zezë dhe se ato janë rezultat i guximit të lidershipit, në të dyja rastet për hapa historike.
Për Kryetarin e Kuvendit Tala Xhaferi, Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe Marrëveshja e Prespës janë udhërrëfyes që përcaktuan të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.
“Shpresat tona duhet të kthehen kah e ardhmja. Na duhet vizion ku shkojmë dhe vullnet politik për dialog për ta çuar procesin përpara. Asnjëherë nuk është e lehtë dhe për derisa ka tolerancë, vullnet dhe interes për të arritur të ardhmen tonë evropiane, asgjë nuk është e vështirë", tha Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Xhaferi.
Në Panelin në hapjen zyrtare të “Forumit të Prespës për Dialog “ mori pjesë edhe Filip Riker, Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Evropën dhe Euroazinë, i cili nënvizoi se Marrëveshja e Prespës përcaktoi standardet se si çështjet e hapura zgjidhen përmes dialogut.
"Marrëveshja hapi dyert e NATO-s për Maqedoninë e Veriut dhe e zhvendosi drejt BE-së. Historia e fillimit të negociatave me BE-në nuk është e plotë, por duhet t’i jepet mirënjohje për atë që kam arritur Maqedonia e Veriut dhe të thuhet se meriton fillimin e negociatave. Besojmë se Maqedonia e Veriut ka bërë shumë me reformat në rrugën e saj drejt NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara mbeten të fokusuara fuqimisht në procesin e integrimit evropian të vendit dhe Ballkanit Perëndimor", tha Ndihmës Sekretari i Shtetit i ShBA-ve për Evropën dhe Euroazinë, Filip Riker.
Ish Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, në fjalimin e saj përmes komunikimit me video, theksoi se Marrëveshja e Prespës është një frymëzim dhe një model për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ngjashme politike.
Mogerini theksoi se Brukseli duhet të tregojë udhëheqje siç kanë treguar kryeministrat Zaev dhe Cipras tre vjet më parë në mënyrë që të arrihet integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE sa më shpejt të jetë e mundur, dhe se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria veçanërisht e meritojnë atë.
Zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për Çështjet Evropiane dhe një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Prespës, Nikolla Dimitrov , tha se në rrugën për në Prespë të dy vendet - si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Greqia, janë pjekur dhe kjo arritje me rëndësi ndërkombëtare ishte e mundur kryesisht për shkak të lidershipin të treguar dhe vizionit të fortë për të ardhmen.
"Unë do të them diçka që thashë në Delfi, në prani të asaj kohe, Kryeministri Cipras - ajo që bëri për Greqinë, e bëri vendin më të madh, pa ndryshuar territorin e tij. Meqenëse mënyra se si silleni me fqinjët tuaj flet se sa vend i madh jeni. Greqia fitoi një aleat të ri dhe u rrit në kuptim të rolit të saj në këtë rajon, në Evropë dhe shikuar historikisht. Kjo ndodhi për lidershipin dhe u bë për lidershipin. Asnjë presion nga jashtë nuk do të ishte i mundur pa këtë udhëheqje", tha Dimitrov në këtë panel.
Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, duke përshëndetur të ftuarit si organizator i “Forumit të Prespës për Dialog” tha se Marrëveshja Kornizë e Ohrit solli kohezion të brendshëm, ndërsa dy marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë sollën zgjidhje të suksesshme të kontesteve dhe bashkëpunim me fqinjët.
"Kjo gjeneratë mund të jetë krenare sepse tejkalon problemet. Vendosi të mos jetë rob i fatit dhe së kaluarës, por i qytetarëve të lirë të së ardhmes," tha Osmani.
"Shumë nga sukseset tona bazohen në këto marrëveshje", tha ministrja e Mbrojtjes Radmila Shekerinska, duke shtuar se ato ishin të vështira për t'u miratuar por përcaktuan të ardhmen e vendit tonë.
"Marrëveshjet e Ohrit dhe Prespës kanë të njëjtin mision - të krijojnë demokraci shumënacionale funksionuese, të integruar në BE dhe NATO. NATO është suksesi jonë. Shpresoj se edhe Evropa do t’u dërgojë gjithashtu një mesazh të fortë vendeve të tjera në rajon që vlerësohen vendime të vështira dhe të guximshme dhe punë e palodhur", tha Shekerinska në pjesëmarrjen e saj në panel.
Në vazhdim të kësaj pjese të hapjes zyrtare të “Forumit të Prespës për Dialog” morën pjesë edhe ish Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s lordi Xhorxh Robertson , eurokomisioneri për zgjerim dhe politika të fqinjësisë dhe eurokomesar aktual për buxhet dhe administratë, Johanes Han dhe ambasadori Alen Leroa të cilët theksuan se me Marrëveshjen e Prespës u arrit një dinamikë e re në rajon dhe në Evropë dhe shprehën shpresë se Brukseli përsëri do ta rikthejë sa më shpejt të jetë e mundur.
Paneli i parë në hapjen zyrtare të “Forumit të Prespës për Dialog” përfundoi me prezantimin e "Çmimit për zgjidhjen e kontesteve" që krijoi forumi dhe i cili si fituesi i parë iu dha ambasadorit Matju Nimic për kontributin e tij në arritjen e Marrëveshjes së Prespës.