Dokumentet dypalëshe të nënshkruara ndërmjet qeverive të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut - në fokus interesin e qytetarëve dhe ekonomive të të dyja vendeve

Sot në Beograd, gjatë vizitës zyrtare të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ministrat e qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë nënshkruan disa dokumente dypalëshe, të cilat janë në drejtim të afrimit të mëtejshëm të vendeve, ekonomive dhe popujve tanë dhe rezultat i marrëveshjeve të nënshkruara për Ballkanin e Hapur.

Memorandumi i nënshkruar mes ministrave të Punëve të Brendshme të dy vendeve ka të bëjë me lehtësimin dhe përshpejtimin e qarkullimit të udhëtarëve dhe automjeteve në vendkalimin kufitar Tabanoc-Preshevë.

Të vetëdijshëm për nivelin e lartë të frekuentimit të automjeteve që krijohet në këtë pikë kufitare, ekipet e Ministrisë së Brendshme, sektorëve të TI-së dhe policive kufitare, administratave doganore si dhe ministrive të Transportit dhe Lidhjeve nga të dyja vendet kanë punuar prej disa muajsh për gjetjen e zgjidhjeve.

Janë definuar disa lloje masash, zbatimi i të cilave do të përmirësojë, lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e pasagjerëve dhe automjeteve.

Masat i referohen kryesisht infrastrukturës në terren dhe modelit të menaxhimit të përbashkët të kufirit.

Memorandumi i dytë, i cili u nënshkrua në Beograd, ka të bëjë me një projekt për sistemet e rrjetëzimit për mbledhjen elektronike të pikëpagesave.

Me intensifikimin e bashkëpunimit rajonal dhe nivelit veçanërisht të lartë të lidhjes mes dy vendeve tona, numri i qytetarëve që udhëtojnë nga Maqedonia e Veriut në Serbi ose anasjelltas po rritet çdo ditë, por intensiteti i automjeteve dhe pasagjerëve që përdorin vendet tona si transit drejt vendeve të treta është shumë i madh.

Në këtë drejtim, ne vazhdimisht po përmirësojmë infrastrukturën e autostradave dhe po ndërtojmë autostrada të reja, por po investojmë gjithashtu në zgjidhje digjitale që lehtësojnë udhëtimin duke rrjetëzuar sistemet elektronike në pikëpagesa.

Me nënshkrimin e memorandumit, së shpejti të gjithë qytetarët e Serbisë me pajisjen TAG të instaluar do të mund të kalojnë pa ndalesë nëpër pikëpagesa në Maqedoninë e Veriut dhe e njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët e vendit tonë kur të udhëtojnë nëpër Serbi.

Memorandumi i tretë, i cili u nënshkrua sot në Beograd, ka të bëjë me bashkëpunimin në fushën e minierave dhe energjetikës.

Me këtë memorandum tregojmë vullnetin tonë të përbashkët për të përforcuar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, në mënyrë që të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen ekonomike.

Energjetika është shtyllë e ekonomisë dhe me këtë memorandum ndër të tjera inkurajohen dhe mbështeten investimet e përbashkëta nga të dyja vendet, veçanërisht për ndërtimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, prodhimin e energjisë dhe ndërlidhjen e sistemeve të gazit dhe energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.