Tripunovski: Janë blerë mbi 78 milionë kilogramë rrush vere, çdo kokërr do të mblidhet, fermerët të mos shqetësohen

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, sot ishte për vizitë në terren në rajonin e Tikveshit, ku vizitoi disa pika grumbullimi me qëllim ndjekjen e procesit të grumbullimit të rrushit të verës.

“Ju informoj se, sipas të dhënave të ditës së djeshme, deri tani janë blerë diçka mbi 78 milionë kilogramë rrush vere”, theksoi ministri Tripunovski.

Nga sasia e blerë, rreth 35 milionë kilogramë janë rrush i kuq, rreth 40 milionë kilogramë rrush i bardhë, plus sasi shtesë të destinuara për eksport. I gjithë procesi po monitorohet nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë.

Ministri shtoi se po ndiqet situata me blerjen e rrushit të verës dhe se këtë vit ka sasi të shtuar, gjë që gëzon pasi Ministria ka bërë përpjekje për të sjellë ujë në çdo vresht.

“Ajo që dua të theksoj është që vreshtarët të mos jenë të shqetësuar. Ditët e fundit po e ndjekim intensivisht blerjen dhe dinamikën. Sasia e cila, sipas disa vreshtarëve gjoja nuk do të blihet nuk është e vërtetë – nga nesër në procesin e blerjes përfshihet edhe një kantinë tjetër vere, “Vardar Winery”, e cila do t’i hapë dyert e saj dhe do ta grumbullojë shtesë atë sasi që do të paraqitet për blerje”, sqaroi ministri Tripunovski.

Ministri theksoi se kantinat e tjera të verës, sipas dinamikës, po vazhdojnë me blerjen e rrushit të verës.

“Çdo kokërr, çdo tufë rrushi do të mblidhet – vreshtarët të mos jenë të shqetësuar. Angazhimi ynë ishte që të ketë sasi më të madhe rrushi vere. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë të jemi këtu çdo ditë në terren për të eliminuar çdo lloj manipulimi”, përfundoi ministri.