Delegacioni qeveritar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski, ministrja e Financave Gordana Koçoska Dimitrieska dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor – Procesi i Berlinit, që mbahet në Londër, zhvilluan takim me ministrin për Biznes dhe Tregti të Mbretërisë së Bashkuar, Ser Kris Brajan.
Pas takimit, zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se Mbretëria e Bashkuar është seriozisht e përkushtuar në zbatimin e Marrëveshjes Qeveri me Qeveri. Ai njoftoi për një numër të madh takimesh me përfaqësues të lartë qeveritarë.
Në vijim, deklarata e plotë e zëvendëskryeministrit Nikolloski:
“Sot e fillojmë vizitën dyditore të punës në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, delegacion i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, në të cilin, përveç meje, marrin pjesë ministrja e Financave, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, si dhe ministri për Çështje Evropiane.
Qëllimi kryesor i vizitës sonë është Procesi i Berlinit, pra takimet e nivelit më të lartë që do të mbahen gjatë ditës së nesërme. Procesi i Berlinit organizohet personalisht nga kryeministri Kir Starmer dhe do të kemi përsëri nderin që brenda vetëm 5–6 muajve, kryeministri Mickoski të zhvillojë takim me kryeministrin Starmer.
Gjithashtu, sot do të ketë pritje tek Madhëria e Tij Mbretërore, Mbreti Çarlls, që është një arritje dhe nder i veçantë, duke pasur parasysh se Maqedonia në të kaluarën nuk ka mundur të krenohet me një nder kaq të madh.
Kemi shumë takime me anëtarët e Qeverisë, sapo përfunduam një takim me ministrin e Tregtisë dhe Ekonomisë, ministrin më të rëndësishëm për ne, pasi pikërisht me këtë resor kemi nënshkruar Marrëveshjen Qeveri me Qeveri, e cila vë në dispozicion për Maqedoninë 6 miliardë euro për projekte infrastrukturore. Tashmë kemi diskutuar për zhvillimin e linjës hekurudhore të shpejtë në Korridorin 10, ku punimet po zhvillohen mirë. Kanë nisur përgatitjet dokumentare për fillimin e punimeve, premtuam se këtë vjeshtë do të fillojmë dhe ja, po fillojmë. Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, kur do të hiqen kufizimet nga Kodi Zgjedhor, do të fillojmë punën për spitalet në Shtip, Tetovë dhe Kërçovë, si dhe për projekte të tjera infrastrukturore.
Gjatë ditës së nesërme do të zhvillojmë takime me drejtorin e Instrumentit për Mbështetje Ndërkombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, me ministrin për Evropë dhe Amerikën e Veriut, dhe shumë me rëndësi me ministrin e Transportit, me të cilin do të nënshkruajmë një marrëveshje ndërqeveritare për bashkëpunim në fushën e transportit ajror, që do të thotë rritje e mundësive për fluturime direkte nga Anglia në Maqedoni, për më shumë turistë dhe më shumë biznese, si dhe disa ministra të tjerë që do t’i takojmë gjatë ditës së nesërme.
Këtu janë edhe disa institucione financiare me të cilat do të diskutojmë për financimin e projekteve të mëdha, kështu që si dimensioni politik ashtu edhe ai ekonomik janë shumë të rëndësishëm dhe me të vërtetë do të kemi një vizitë dyditore shumë produktive në Londër.
Edhe takimi i parë e dëshmon këtë, se jemi në rrugë të mirë dhe takimi i parë me ministrin e Tregtisë dhe Ekonomisë tregon se janë seriozisht të përkushtuar në realizimin e Marrëveshjes Qeveri me Qeveri midis Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar,” – deklaroi zëvendëskryeministri Nikolloski.