Kryeministri Zaev: Është mbështetje e madhe që në fazën e ratifikimit të Protokollit për anëtarësim, pikë e kontaktit të vendit tonë me NATO-n është Sllovenia miqësore

Sot, kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, pranoi delegacionin e Ministrisë së mbrojtjes së Republikës së Sllovenisë, të udhëhequr nga ministri Karll Erjavec.

Në takimin në të cilin morën pjesë zëvendëskryetarja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe ministre e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, koordinatori kombëtar për NATO-n në vendin tonë, Stevo Pendarovski, si dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të Kryetarit të Qeverisë, kryeministri Zaev i dëshiroi mirëseardhje të ngrohtë delegacionit slloven dhe shprehu kënaqësi të madhe që Ambasada e Republikës së Sllovenisë u emërua nga ana e NATO-s për pikë kontakti në procesin e ardhshëm përfundimtar të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në Aleancë, në periudhën kur vendet anëtare të NATO-s do të fillojnë procedurën për ratifikimin e Protokollit për aderimin e vendit tonë në aleancë.

“Ky është veçanërisht lajm i mirë për vendin tonë, pasi që përveç nesh, në fazën kur vendet anëtare të NATO-s do të qasen drejt nënshkrimit të Protokollit për aderim të Republikës së Maqedonisë në aleancë, përkrah neve do të kemi mik dhe partner të dëshmuar. Republika e Maqedonisë dhe Republika e Sllovenisë kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme tradicionale, me bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme e të ndërsjellë.  Sllovenia ka dëshmuar vendosmërinë e saj edhe me mbështetjen e vendit tonë, për aspiratat tona për anëtarësim në BE dhe NATO dhe gjatë tërë procesit dha dhe vazhdon të na jep mbështetje pa rezervë”, theksoi  kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev.

Më pas, ai e njoftoi ministrin e mbrojtjes së Sllovenisë dhe anëtarët e tjerë të delegacionit, për situatën aktuale me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës në Republikën e Maqedonisë dhe në Greqi, dhe theksoi se pret përfundim të suksesshëm në parlamentin grek, pas së cilës do të vijojë procedura për pranimin e vendit tonë në NATO, si dhe krijimin e ambientit të përshtatshëm për konfirmimin e fillimit të akorduar të negociatave me BE-në me hapjen e kapitujve të parë në korrik të këtij viti.

Kryeministri Zaev dhe ministri i mbrojtjes së Sllovenisë, Karll Erjavec, u dakorduan se të dy vendet mbeten të përkushtuara në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella që shënojnë rritje të vazhdueshme, si dhe marrëdhëniet do të marrin nxitje shtesë me anëtarësimin Republikës së Maqedonisë në NATO, që do të del nga konsolidimi dhe intensifikimi i reformave politike, si bazë për rritjen ekonomike të Republikës së Maqedonisë.