Kryeministri Zaev në takim me Kryeministrin Borisov në Sofje: Miqësia asnjëherë nuk ka qenë më e madhe, hapim perspektiva për bashkëpunim më të fortë ekonomik

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev udhëheq delegacionin e Qeverisë së vendit tonë, në përbërje të të cilit janë ministri i Kulturës, Asaf Ademi dhe anëtarët e tjerë të Kabinetit të Kryetarit të Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës, në vizitë njëditore në Republikën e Bullgarisë.

Kryeministri Zaev gjatë vizitës së tij në Sofje pati takim tet a tet me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Bullgarisë, Bojko Borisov, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e ardhshëm midis dy vendeve, i cili pas nënshkrimit të marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë, shënon vazhdimisht rritje të qëndrueshme në të gjithat fushat. Në takim u shqyrtuan mundësitë për krijimin e kushteve për rritjen e shkëmbimit tregtar me ulje të ndërsjellë të normave doganore.

 

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev në takim edhe një herë falënderoi mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Bullgarisë për anëtarësim të vendit tonë në NATO dhe BE, si dhe gatishmërinë e Bullgarisë për të ndarë përvojën në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përgatitjet në periudhën e pranimit dhe për përdorim efikas të fondeve evropiane në këtë fazë të negociatave.

Kryeministri Zaev dhe Borisov biseduan edhe për përgatitjet për mbledhjen e dytë ndërqeveritare e cila këtë vit do të mbahet në Bullgari, ndërsa forumi i përbashkët i biznesit, që u mbajt në Shkup u vlerësua si impuls shtesë për bashkëpunimin ekonomik si përparësi kryesore e qytetarëve dhe e komunitetit të biznesit të të dyja vendeve.

Në takim u konstatua se bashkëpunimi ndërkufitar po intensifikohet dhe se të gjitha përpjekjet e nevojshme do të bëhen në shkëmbimin e qëndrueshëm tregtar prej pothuajse 600 milionë euro për të arritur vlerë prej 1 miliard euro.

Vazhdimësia e ndërtimit të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore të Korridorit 8 mbeten interes kapital për të dyja vendet. Rindërtimi dhe ndërtimi i hekurudhës është projekt kapital me vlerë të përgjithshme prej 670 milionë eurosh, ndërsa infrastruktura rrugore 93 milion euro. 120 milionë euro janë mjete përkatësisht grante të pakthyeshme nga Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Me të njëjtën vëmendje, të dy vendet punojnë edhe për të lidhur infrastrukturën e gazit dhe pjesëmarrjen e përbashkët në projekte dhe rrjete rajonale të ndërlidhjes së gazit.

Në takim u bisedua edhe për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë pasi u ratifikua në Athinë, pas së cilës vijon, anëtarët e aleancës të nënshkruajnë protokollin për anëtarësim të vendit tonë në NATO, me të cilën do të hyjë në fuqi përdorimi formal i emrit të ri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut.

Të dy kryeministrat morën pjesë edhe në nënshkrimit solemn të Programit të përbashkët për bashkëpunim në fushën e kulturës ndërmjet dy vendeve deri më vitin 2021, si konfirmim i vullnetit të mirë dhe interesit për intensifikim të komunikimit, shkëmbimit të përvojave dhe afirmimit të vlerave kulturore të të dy vendeve.

Në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë, Kryeministri Zaev theksoi se, si rezultat i punës së të dy komisioneve për shënimin e përbashkët të ngjarjeve historike dhe personaliteteve, së shpejti në Republikën e Maqedonisë, në afërsi të Dojranit, në vendin ku humbi jetën, do të ngrihet përmendore e kolonelit Konstantin Kavarnaliev, personalitet i shquar në historinë e Bullgarisë nga periudha e Luftës së Parë Botërore.

Me qëllim të zbatimit të Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë, Kryeministri Zaev theksoi se si rezultat i punës së dy komisioneve për Programin e përbashkët për bashkëpunim në fushën e kulturës që e nënshkruan ministrat e kulturës Asaf Ademi dhe Boill Banov, paraqet kornizë ligjore për vendosje të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë mes institucioneve kulturore në të dy vendet për të shkëmbyer vlerat kulturore dhe artistike, që është në funksion të afrimit të kombeve dhe shteteve.

Programi për bashkëpunim kulturor ndërmjet dy vendeve u mbajt pasi dy ministrat e kulturës vendosën kurorë lulesh në monumentin e Goce Dellçevit në Sofje me rastin e ditës së lindjes së tij, që ishte një rast i mrekullueshëm, delegacionet e të dy vendeve t’i japin mirënjohje veprës së personit i cili thoshte se “Botën e sheh si një arenë për gara kulturore midis kombeve”.

Vizita e punës së delegacionit të Maqedonisë në Republikën e Bullgarisë përfundon sonte me program kulturor dhe artistik me pjesëmarrje të artistëve nga vende të tjera të rajonit në Qendrën Kulturore-Informative të Republikës së Maqedonisë në Sofje.