Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev i shoqëruar nga delegacioni në të cilin ishte ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, sot në Qeveri u takuan me komisaren evropiane Marija Gabriell, e përcjellë nga ambasadori i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Samuell Zhbogar dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Kryeministri Zaev duke i dëshiruar mirëseardhje komisares evropiane Gabriell e cila është në vizitë pune në Shkup si pjesë e turneut rajonal, iu falënderua për mbështetjen e vazhdueshme të vendit tonë sa i përket integrimit në BE, si dhe për angazhimin e saj për avancimin e Agjendës digjitale në kuadër të BE-së, si dhe përpjekjet për hapjen e mundësive për Ballkanin Perëndimor për qasje në këtë fushë për bashkëpunim.
“Në rrugën e realizimit të qëllimeve tona strategjike, anëtarësimit në NATO dhe sigurimit të fillimit të negociatave aderuese me BE-në, tërësisht jemi të përkushtuar në mirëmbajtjen e raporteve të mira dhe miqësore me fqinjët, këtë e dëshmojnë marrëveshjet për bashkëpunim me Bullgarinë dhe Greqinë dhe jemi të bindur se kjo e hap rrugën për bashkëpunim më të afërt dhe gjithëpërfshirës në rajon”, tha Kryeministri Zaev duke shtuar se ndër prioritetet janë pranimi i teknologjive të reja të cilat sot në kohë moderne janë nevojë e vërtetë dhe pas së cilave qëndron e gjithë Qeveria.
Në takim u bisedua për rëndësinë e lidhjes dhe sigurimit të qasjes më të gjerë në tregun e vetëm digjital dhe integrim.
Në mënyrë pozitive u vlerësua organizimi i Samitit të parë digjital të cilin vendi ynë në mënyrë të suksesshme e organizoi vitin e kaluar dhe u shpreh bindja se Samiti i këtij viti në Beograd gjithashtu do të sjell përfitime rajonale, ndër të cilat edhe përpjekjet për finalizimin e Marrëveshjes rajonale për roaming për gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në takim u shpreh mbështetja për ndërmarrjen e masave në të gjitha fushat e ekonomisë, të cilat sjellin përfitime konkrete për të gjithë qytetarët dhe ndërmarrjet.
U përmend që Komisioni Evropian i mbështetë plotësisht përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për rritjen e kapaciteteve të ekspertëve në fushën e sigurisë kibernetike dhe përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për formimin e akademisë së re rajonale për siguri kibernetike.
Komisarja evropiane Gabriell shprehu kënaqësinë që ka mundësi Kryeministrit Zaev t’i shpreh urime për zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Prespës,e cila siç theksoi ajo është sinjal i fortë për gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për integrim në Bashkimin Evropian.
Njëkohësisht, ajo Kryeministrit Zaev i uroi edhe për çmimin, i cili bashkë me Kryeministrin Grek Cipras në Konferencën e Munihut për Siguri, iu nda për kontributin e tyre për paqen dhe stabilitetin në botë, duke e vlerësuar si porosi të fortë për të gjithë qytetarët e rajonit.
Komisarja evropiane Gabriell i theksoi prioritetet për realizimin e Agjendës digjitale, siç janë kyçja e shkollave në nismën për trajnim digjital ku është i përfshirë rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe nxitja e trajnimit dhe arsimit në fushën digjitale, përmirësimi i kushteve për zhvillim të inovacionit dhe biznesit start-up, mobilizimi i administratës publike, përforcimi i sigurisë kompjuterike, edukimi kompjuterik dhe mediatik dhe orientimi i të gjitha aktiviteteve drejt asaj që e kërkon shoqëria digjitale, duke theksuar se kjo është e rëndësishme për të rinjtë dhe për të gjithë qytetarët.
Në takim u theksua edhe mbështetja e madhe për investimin e Qeverisë në Parkun e ri teknologjik në Shkup, që do t’i bashkojë në një vend start-up, shkencën dhe investitorët, me qëllim të realizimit më të shpejtë të ideve inovative nga ndërmarrësit dhe në prezantimin e të cilit do të merr pjesë komisarja evropiane Gabriell bashkë me Kryeministrin Zaev dhe ministrin Mançevski, në kuadër të të cilëve do të fillojë me punë edhe përshpejtuesi për biznes-teknologji për sipërmarrësit e ri dhe inovatorë në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi.