Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev sot në Vjenë realizoi takim me kancelarin e Republikës së Austrisë, Sebastian Kurc.
Duke theksuar se çdo vizitë e Republikës së Austrisë është kënaqësi, kryeministri Zaev personalisht falënderoi kancelarin Kurc, por edhe Qeverinë e Republikës së Austrisë, për gjithçka që ka bërë për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Tani me fillimin e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, krejtësisht jemi të përkushtuar për reformat brenda në vend. Marrëveshja e arritur kishte ndikim pozitiv ndaj të gjithë rajonit. Me marrëveshjen arritëm të tregojmë se me partneritet dhe dialog mund të arrihet shumë”, theksoi kryeministri Zaev në takimin me kancelarin Kurc.
Në këtë takim kryeministri Zaev theksoi se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian është zgjidhje e vetme.
“Pas Marrëveshjes historike ndërmjet vendit tonë dhe Greqisë, koha është t’i përkushtohemi çështjeve ekonomike në vend”, tha kryeministri Zaev dhe shtoi se këtë vit të gjitha përpjekjet janë në drejtim të rritjes së ekonomisë.
Takimi, siç theksoi kancelari i Republikës së Austrisë, Sebastian Kurc, edhe njëherë tregon dhe dëshmon miqësinë ndërmjet dy vendeve. Pas zgjidhjes me sukses të kontestit me Greqinë, Republika e Austrisë shpreson se këtë vit Republika e Maqedonisë së Veriut do të fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian, dhe në këtë proces tha kancelari Kurc, Austria edhe më tej do t’ia jap përkrahjen e nevojshme Maqedonisë së Veriut.