Edmond Ademi: Me Strategjinë për diasporën, po vendosim koncept të ri bashkëpunimi shtet-diasporë

Ministri Edmond Ademi, sot në konferencë për media, kumtoi se në seancën e djeshme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, qeveria miratoi Strategjinë shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me diasporën dhe Planin e veprimit.

Ministri Ademi ka theksuar se nga pavarësia deri më sot, strategjia është dokumenti i parë i miratuar nga ana e qeverisë. Dokument ky që do të ndërtojë bashkëpunim institucional mes shtetit dhe diasporës.

 

 

“Strategjia paraqet bazë për lidhjen e diasporës me shtetin, kundër partizimeve dhe ndarjeve në diasporë, të nxitura në të kaluarën. Me pjesëmarrjen e organizatave nga diaspora dhe individëve të spikatur nga diaspora, mund të ngrejmë  bashkëpunimin në mes shtetit dhe diasporës në një nivel më të lartë, nga e cila do të përfitojë edhe diaspora edhe Republika e Maqedonisë së Veriut”, potencoi Ademi. 

Ministri Ademi ka informuar edhe për procesin e përpunimit të strategjisë, duke vënë theksin mbi atë se ishte gjithëpërfshirës, ishin të përfshirë përfaqësues nga organizatat e diasporës, përfaqësues nga OJQ-të në vend, ekspertë nga fusha të ndryshme, si dhe ekspertë nga organizata ndërkombëtare për migrim (IOM).

Ministri gjithashtu shpjegoi 4 shtyllat në të cilat bazohet strategjia; (1) Çështje politiko- juridike dhe konzullore, (2) Diaspora dhe zhvillimi ekonomik, (3) Arsimi, shkenca dhe të rinjtë dhe (4) Lidhjet kulturore, identiteti kulturor dhe trashëgimia kulturore.

Ministri Ademi, ishte decid në faktin se Diaspora është pjesë e shtetit, dhe si e tillë do të trajtohet. 

“Me miratimin e Strategjisë për bashkëpunim promovohet koncept i ri i bashkëpunimit, i cili është diametralisht i kundërt me atë që ishte praktikë deri më tash dhe bashkërisht do të na ndihmojë të hapërojmë përpara për të ndërtuar shtet europian”, përfundoi Ademi.