Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot e filloi vizitën e tij të punës në Bruksel në takim me nënkryetaren e Komisionit Evropian dhe përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini.
Në takim ishin të pranishëm, zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, zëvendëskryetarja e Qeverisë dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
Kryeministri Zaev shprehu falënderimin e tij personal për mbajtjen e Këshillit të Stabilizim-Asociimit në një periudhë kaq të rëndësishme për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në takim, u dhanë urimet për arritjet e Marrëveshjes së Prespës, implementimin e plotë të saj dhe përfitimet që tani më janë të dukshme për të gjithë.
Gjithashtu, në takim u përshëndet progresi i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë Veriore në plotësimin e agjendës së reformave. Qeveria nga nënkryetarja e Komisionit Evropian, Mogerini mori inkurajim, që para qershorit ketë vit, shteti t’i zbatojë masat e mbetura për përfundimin e reformave të parapara në konkluzionet e Këshillit Evropian që nga qershori i vitit 2018.
Pjesëmarrësit në takimin e sotëm në Bruksel ranë dakord se zbatimi i suksesshëm i zgjedhjeve presidenciale të drejta, demokratike dhe të lira, janë kyçe dhe me përparësi për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në takim, gjithashtu u theksua se të gjithë presin qasje konstruktive dhe pjesëmarrje të opozitës në zgjedhje dhe në proceset e reformave.
Në takimin e delegacionit qeveritar të udhëhequr nga Kryeministri Zaev me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, u konkludua se Republika e Maqedonisë së Veriut ka arsye të mëdha të shpresojë për sinjale pozitive nga të gjitha institucionet evropiane në të ardhmen.