Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot priti në takim delegacionin qeveritar të Republikës së Çekisë të udhëhequr nga zëvendëskryetari i parë i Qeverisë në Pragë, Jan Hamaçek.
Kryeministri Zaev përshëndeti miqtë nga Republika e Çekisë, e cila, siç tha në takim, është vend i cili, që nga pavarësia e vendit tonë na jep mbështetje të plotë, të rëndësishme dhe inkurajuese për zhvillimin e marrëdhënieve tejet të mira.
Kjo mbështetje që vjen nga Qeveria e Republikës Çeke, si dhe nga populli i atij vendi, është me intensitet të jashtëzakonshëm pozitiv edhe në forumet ndërkombëtare, veçanërisht në Bashkimin Evropian dhe vjen si mirënjohje për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe politikat e saj.
Kryeministri Zaev theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për proceset e reformave euroatlantike, për zhvillimin e konceptit “Një shoqëri për të gjithë”, për modelin e Maqedonisë së Veriut për zgjidhjen e marrëdhënieve fqinjësore për të zgjidhur çështjet më delikate, si dhe në lidhje me kontributin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Republika Çeke në muajin korrik të këtij viti mori kryesimin me Grupin e Vishegradit të vendeve anëtare të BE-së të Evropës Qendrore dhe Republika e Maqedonisë së Veriut është e bindur se edhe prej atje do të vijë mbështetja për vendimin për konfirmimin e datës për hapjen e kapitujve të negociatave për këtë vit. Shtysë e fortë në këtë drejtim do të jetë edhe ratifikimi i Protokollit për aderim në NATO, të cilin Parlamenti i Çekisë e paralajmëroi për muajt në vijim.
“Si partner i përkushtuar i vendit tonë në lidhje me aspiratat për anëtarësim në BE, dy vendet tona mbeten të përkushtuara për zgjidhjen e përbashkët të çështjeve me interes të veçantë për Bashkimin Evropian, siç është për shembull kriza e emigrantëve.
Dëshmia e fortë e këtij përkushtimi të përbashkët është nënshkrimi i Marrëveshjes së djeshme për donacionin me vlerë rreth një milion euro, që përfshin disa segmente të sigurisë për modernizim teknik dhe pajisje shtesë të disa njësive organizative në MPB, me theks të veçantë për çështjen e migracionit", tha Kryeministri Zaev në takim.
Kryeministri Zaev në takim theksoi përcaktimin e të dyja vendeve për vazhdimin dhe zhvillimin e dialogut miqësor politik në nivel më të lartë, si dhe nxitjen e intensitetit për bashkëpunim ekonomik.
Zëvendëskryeministri Çek Jan Hamaçek në takimin me Kryeministrin Zaev e theksoi bashkëpunimin tejet të rëndësishëm të forcave të sigurisë të të dy vendeve në kufi dhe theksoi se Republika Çeke mbetet e hapur për këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen, madje edhe kur kontrollin e kufirit bashkërisht do ta ndajnë policia e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe forcat e përbashkëta evropiane të policisë "Fronteks".
Përveç këtij bashkëpunimi, zëvendëskryeministri i Çekisë, Hamaçek theksoi bashkëpunimin ndërmjet ushtarëve të të dy vendeve për misionin e NATO-s në Afganistan dhe theksoi se kontributi i deritanishëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushat me interes për BE-në, si dhe progresi i reformave të brendshme, janë rekomandim i fortë që Këshilli i Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së t’i rekomandojë Këshillit Evropian të konfirmojë vendimin për hapjen e kapitujve për negociata me Republikën e Maqedonisë së Veriut.