Kryetari i Qeverisë së RMV-së Zoran Zaev me delegacionin qeveritar realizoi takim me Kryetarin e Qeverisë të RP së Kinës, Li Keçijang dhe delegacionin kinez në suaza të Samitit të 8-të të kryetarëve të qeverive të procesit për bashkëpunim të RP të Kinës me vendet e EQL (16+1).
Kryeministri Zaev në takim potencoi rëndësinë e mbështetjes të cilën në vazhdimësi RP e Kinës ia jep RMV-së që nga pavarësia deri më sot dhe potencoi se RMV vazhdon ta mbështesë politikën e Kinës.
Kryeministri i RP të Kinës, Li Keçijang përshëndeti zgjidhjen e kontestit dypalësh me Greqinë dhe tha se ky është rezultat i udhëheqjes së të dy vendeve dhe zgjuarsisë së qytetarëve për t’u drejtuar kah e ardhmja. Në këtë drejtim Kryeministri kinez Keçijang porositi se RP e Kinës i mbështet përpjekjet e vendit tonë për integrim në BE.
Dy kryeministrat shprehën interes për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet RP të Kinës dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e infrastrukturës, bujqësisë, energjetikës, arsimit, kulturës dhe turizmit.
Kryeministri Zaev theksoi se Marrëveshja ndërmjet dy qeverive për njohjen e përbashkët të diplomave akademike dhe certifikatave të tjera arsimore është në fazë përfundimtare dhe u theksua përpjekja se vazhdon bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.
Në fund të takimit me Kryeministrin kinez, Kryeministri Zaev shprehu kënaqësinë që Shkupi u caktua si seli e Qendrës Koordinuese për bashkëpunim kulturor nga procesi i bashkëpunimit 16+1 dhe e njoftoi Kryeministrin kinez Keçijang se Shkupi do të jetë nikoqir i “Forumit për kulturë”, në kuadër të procesit 16+1 prej 19 deri më 21 nëntor këtë vit.