Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i shoqëruar nga ministri i ngarkuar për Diasporën, Edmond Ademi dhe zëvendësministri për Punë të Jashtme, Andrej Zhernovski sot u takuan me zëvendësministrin për Punë të Jashtme të Greqisë, i ngarkuar për diasporën greke, Terens Nikolaos Kuik, i cili është në vizitë pune dy ditore në vendin tonë.
Në takimin i cili kaloi në atmosferë miqësore dhe të përzemërt, u shpreh kënaqësia nga zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve në mes dy vendeve fqinje pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, me çka siç u theksua nga të dyja palët u hap një e ardhme me perspektivë për qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme në Greqi dhe në Maqedoninë e Veriut.
“Me mikun tim, kryeministrin grek Aleksis Cipras, treguam se para nesh, qëndrojnë mundësi të hapura për bashkëpunim dhe se interesat e përbashkëta mund t’i përdorim për bashkëpunim pozitiv, që t’i kompensojmë vitet e humbura. Me vullnetin tonë të përbashkët politik tregojmë dhe tashmë ndjejmë se është i mundur bashkëpunim i shkëlqyer ekonomik dhe tregtar mes vendeve tona fqinje, si dhe bashkëpunim në sferën e turizmit, arsimit, kulturës dhe sportit” , tha kryeministri Zaev.
Gjithashtu, në takim ishte potencuar edhe rëndësia e Planit Aksional, i cili ishte nënshkruar nga ana e kryeministrave Zaev dhe Cipras, gjatë vizitës së para pak kohësh të delegacionit të Qeverisë greke në vendin tonë, me të cilin rregullohen të gjitha aktivitetet të cilat mbulojnë marrëveshje për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në mbrojtje, energjetikë, transport, bujqësi, shëndetësi, si dhe asistim të Greqisë në procesin e anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian.
U shkëmbyen mendime dhe u shpreh mbështetja e pa rezervë për forcimin e partneritetit ekonomik, me qëllim të krijimit të kushteve për hapjen e vendeve të reja të punës, veçanërisht për gjeneratat e reja. U shpreh vullneti që frytet nga miqësia e sinqertë dhe e shprehur nga të dyja palët, të shfrytëzohet për afrimin e të dy popujve, për rritjen dhe zhvillimin e përbashkët si shembull i bashkëpunimit të dy vendeve fqinje në të gjithë rajonin.