Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev sot mbajtën takim pune me përfaqësues të sektorit të biznesit nga rajoni i Strumicës. Pas përfundimit të takimit të punës, Kryeministri Zaev dhe zëvendëskryeministri Angjushev dhanë deklarata të shkurtra për mediat.
“Qëllimi përfundimtar i këtyre takimeve është të nxisim vëmendjen nga ana e unionit të biznesit që t’i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat dhe mjetet që i kanë në dispozicion për të hapur kapacitete të reja, për të hapur vende të reja të punës dhe për të rritur PBB-në e vendit”, deklaroi Zaev.
Kryeministri shtoi se rajoni i Strumicës është i orientuar drejt eksportit dhe ka potenciale dhe përparësi të mëdha me sektor biznesi të zhvilluar me cilësi dhe theksoi se qëllimi është të informojë unionin e biznesit dhe të motivojë atë për të hyrë në aktivitete të reja afariste.
"Mundësitë që ofron shteti janë të mëdha, ndërsa me integrimin në NATO dhe BE këto mundësi janë edhe më të mëdha. Vendet fqinje me fondet që i kanë hapur krijojnë mundësi shtesë për të gjithë vendin dhe sidomos për pjesën jugore të shtetit për shkak të fondeve greke, ndërkaq pjesa lindore për shkak të fondeve nga Bullgaria. Besoj se e gjithë kjo do të jetë mirë për qytetarët që t’i shfrytëzojnë", tha Kryeministri Zaev, duke shtuar se është e nevojshme që kompanitë të aplikojnë për masa mbështetëse dhe në tërësi t’i shfrytëzojnë fondet e caktuara të buxhetit.
"Besoj se ky rajon i cili mbulon rreth 150,000 banorë, duke përfshirë rajonin Radovish-Strumicë, ka mundësi të madhe të kontribuojë në zhvillimin e përgjithshëm të vendit", tha Kryeministri Zaev.
Zëvendëskryeministri Angjushev tha se, këtë vit, Qeveria si kurrë më parë ka ndarë mjete për mbështetjen e ekonomisë, 47% më shumë se vitin e kaluar, ose rreth 70 milionë euro.
“Shpjeguam masat e Qeverisë, për të mbështetur ekonominë, i inkurajuam sipërmarrësit t'i shfrytëzojnë ato, sepse ato u krijuan për ta. Atyre ua përcollëm mesazhin se Qeveria është mik i ekonomisë dhe do të krijojë mjedis politik dhe ekonomik për zhvillimin e ekonomisë, ky është qëllimi ynë. Pas përfundimit të proceseve politike, më e rëndësishme është të materializohet në rritje të ekonomisë dhe në një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e shtetit tonë. Sa i përket kësaj do të ndaj informacionin se na inkurajojnë numrat e mjaftueshëm, me informatat e djeshme nga statistikat që rritja e prodhimit industrial në tremujorin e parë të 2019 krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018 është 8.8%, që është një rritje rekorde për një tremujor në vitet e fundit. Pra, kjo na jep bazën që të shpresojmë dhe presim që rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e parë do të ketë rritje më të mëdha në nivel më lartë dhe numra rekord", tha zëvendëskryeministri Angjushev.