Kryeministri Zaev për vizitën e Papa Françeskut: Kjo vizitë historike është mirënjohje e madhe për vendin që Maqedonia e Veriut zuri në unionin global të vendeve progresive

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev mbajti konferencë për shtyp për mediat e vendit dhe të huaja me rastin e vizitës Apostulike të Papa Françeskut në vendin tonë.

 

Deklaratën e Kryeministrit Zaev në këtë kumtesë ua përcjellim në mënyrë të plotë:

 

“Vendi ynë i bukur Republika e Maqedonisë së Veriut sot edhe njëherë është në qendër të vëmendjes botërore.

 

Vizita e Shkëlqesisë së Tij, njeriut të parë të Kishës Katolike dhe shtetit të Vatikanit Papa Françesku, vizitë e parë historike e një Pape në vendin tonë, është mirënjohje e madhe për vendin që mori Republika e Maqedonisë së Veriut në unionin global të vendeve progresive.

Vizita e Papa Françeskut nuk është rezultat i mitologjive. Vizita e Tij është reflektim i një kohe të përshtatshme për tu dhënë mirënjohje lidhjeve historike nga shekujt e hershëm të krishterimit, kur Papa Adrijani i Dytë i ka bekuar dhe shenjtëruar librat fetarë të vëllezërve Shën Qirili dhe Metodij, me të cilët më pas është bërë krishterimi i popujve slloven në Evropë.

 

Republika e Maqedonisë së Veriut përgjatë gjithë shekujve të krijimit të shtetësisë së saj, i ka transmetuar porositë e Biblës për shpresë, ngushëllim dhe tolerancë edhe në kohën bashkëkohore të saj.

 

Vatikani, Evropa dhe e gjithë bota njohën vlerat, bukurinë e kulturave të ndryshme, bashkësive etnike dhe religjioneve që jetojnë në shoqëri të barabartë për të gjithë.

 

Mesha e shenjtë me të cilën Papa Françesku i bekoi besimtarët katolik dhe të gjithë qytetarët me vullnet të mirë, është reflektim i respektit për unitetin në mes popujve që e kultivojmë në vendin tonë.

 

Kjo është shtytje e fortë dhe mbështetje për të gjithë ne. Kjo është porosi e cila sot botës iu transmetua nëpërmjet qindra ekipeve të gazetarëve dhe televizioneve, që në këtë ditë historike ishin në Maqedoninë e Veriut.

 

Jo më pak e rëndësishme është se sot Republika e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët e saj, përveç krenarisë për nderin e treguar nga Papa Françesku që vizitoi vendin tonë, dëshmuan që kanë kapacitet të bëjnë të gjitha përgatitjet për pritjen e njërit nga udhëheqësit më të rëndësishëm botëror, prijës shpirtëror dhe inspirim për miliona besimtarë dhe qytetarë me vullnet të mirë.

 

Populli ynë ka vullnetin dhe ndjek misionin e Nënë Terezës dhe këtë e konfirmuam me këtë ngjarje”.