Në kuadër të vizitës zyrtare në Slloveni, Kryetari i Qeverisë së RMV-së, Zoran Zaev i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Qeverisë, i ngarkuar për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev dhe ministrja pa portofol, e ngarkuar për investime të huaja, Zorica Apostollska, realizoi takim me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor dhe me Kryetarin e Kuvendit, Dejan Zhidan.
Në takim Kryeministri Zaev dhe Presidenti Pahor i konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera të ndërsjella dhe miqësinë tradicionale ndërmjet dy vendeve dhe shkëmbyen mendime për mundësitë e ardhshme për zhvillimin e marrëdhënieve, veçanërisht në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik edhe në planin e aktiviteteve të përbashkëta në NATO dhe në procesin e integrimit të vendit tonë në BE. Kryeministri Zaev i shprehu falënderim të madh Presidentit Pahor për mbështetjen e madhe dhe pa kursim që Sllovenia ia jep Maqedonisë së Veriut në procesin e aderimit në NATO dhe BE.
Në takim Kryetari i Kuvendit të Sllovenisë, Zhidan dhe Kryeministri Zaev theksuan bashkëpunimin parlamentar jashtëzakonisht të mirë, mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, ndërsa u diskutua edhe për mbështetjen dhe shkëmbimin e përvojave nga Sllovenia në procesin e fillimit të negociatave të vendit tonë me BE-në.
Në këtë rast, Kryetari i Qeverisë së RMV-së Zoran Zaev iu falënderua Kryetarit të Kuvendit, Dejan Zhidan për ratifikimin e Protokollit për aderimin e vendit tonë në NATO dhe njoftoi se tash më 13 vende anëtare të NATO-s e ratifikuan dokumentin, me çka hapet mundësia që Maqedonia e Veriut deri në fund të vitit të merr statusin anëtare e plotfuqishme e Aleancës.
Në takimet u shprehën urime për shkallën e realizimit të proceseve reformuese në vendin tonë dhe u theksua mbështetja e madhe nga Republika e Sllovenisë për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.