Kryeministri Zaev dhe zëvendëskryeministri Angjushev në promovimin e projekteve startup fitues të granteve nga dy thirrjet e startup-it: Investimi në idetë e biznesit tuaj startup është investim për të ardhmen dhe progresin tonë të përbashkët

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev bashkë me zëvendëskryeministrin e ngarkuar për çështje ekonomike, Koço Angjushev mbajtën fjalime në ngjarjen e organizuar nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik për promovimin e 48 projekteve startup fitues të mbështetjes financiare nga dy thirrjet e startup-it.

 

“Sot promovojmë 48 idetë e biznesit startup që kanë marrë mbështetje përmes dy thirrjeve të stratup-it.  Kur ne duhet t’i mbështesim të rinjtë dhe idetë e tyre inovative afariste atëherë kënaqësia është e ndërsjellë dhe e madhe. Investimi në idetë e biznesit tuaj startup është investim në të ardhmen dhe në progresin tonë të përbashkët”, theksoi Kryeministri Zaev.

Ai iu drejtua fituesve të granteve të thirrjes startup dhe theksoi se të rinjtë janë bartës të ndryshimit që ndodhin në vendin tonë.

 

“Unë jam i bindur se të gjitha këto 48 projekte do të jenë të suksesshme dhe do të sjellin vlerë të shtuar në ekonominë tonë dhe në mënyrën e tyre do të përmirësojnë jetën tonë të përbashkët. Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik me Bankën Botërore do të sigurojë mjete në vlerë prej 1.8 milion euro si mbështetje financiare për këto projekte. Me mbështetjen e këtyre stratup-ve, hapen në fillim 45 vende të reja pune dhe paga mesatare e paguar është në shumë prej 462 euro”, theksoi Kryeministri Zaev.

 

Zëvendëskryeministri Angjushev theksoi se koha e sotme është një kohë e kompanive startup. Ai këtë e mbështeti me faktin se në botë ekzistojnë kompani me traditë dekadash, megjithëse krahas suksesit dhe traditës të tyre, një pjesë e madhe e kompanive më të vlefshme në ditët e sotme nuk janë më të vjetër se 15-20 vjet dhe kanë filluar si startup.

“Amazon, Fejsbuk, Teslla, Ejpëll, janë kompani të cilat filluan si startup, kanë pasur rritje të shpejtë, ndërsa sot vlejnë shumë. Një tjetër shembull është Mobile Eye, startup kompania nga Izraeli, të cilët e shpikën sistemin për automjete vetëdrejtuese, i cili është shitur për vlerë dyshifrore në miliarda. Qeveria krijoi masat nga Plani për rritje ekonomike, posaçërisht në atë drejtim, për mbështetjen e kompanive që teknologjikisht, të zhvillohen dhe të futin zgjidhje inovative dhe rezultatet tregojnë që masat janë krijuar në mënyrë të rregullt. Në vitin 2019 u sigurua një shumë rekord fondesh në buxhet për programet ekonomike të Qeverisë, me 47% më shumë fonde në krahasim me vitin 2018, me të cilat mbështeten kompanitë e huaja, por në numër më të madh kompanitë vendase", theksoi Angjushev.

 

Ngjarjen e udhëhoqi drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Jovan Despotovski, i cili tha:

“Kjo Qeveri është partner i vërtetë i të rinjve në vend. Edhe atë jo me premtime, por me masa konkrete të cilat japin rezultate të vërteta. Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik deri më tani ka investuar rreth 2.5 milionë euro në rreth njëqind startup kompani. Ne i inkurajojmë të rinjtë të marrin guxim që idetë e tyre t’i shndërrojnë në biznese të suksesshme. Tashmë punojmë në krijimin e masave të reja me të cilat do të lehtësohet krijimi i kompanive dhe qasja deri tek investitorët e huaj. Qëllimi ynë është të krijojmë kushte dhe standarde evropiane, me qëllim që të ndalohet largimi i të rinjve me arsim të lartë  nga vendi dhe të tregojmë që mundemi të eksportojmë produkte dhe shërbime të reja në vend të kapitalit njerëzor”, tha drejtori Despotovski.