Kryeministri Zaev dhe ministri Bekteshi nga ngjarja rajonale B2B: Jemi të fokusuar të ndërtojmë infrastrukturë dhe ti përmirësojmë procedurat administrative mes vendeve tona dhe të krijojmë atmosferë që afaristët të bashkëpunojnë dhe të investojnë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot mori pjesë në ngjarjen rajonale të B2B takime mes kompanive të RMV-së, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në organizim të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Ngjarja është pjesë e projektit të mbështetur nga USAID-i “Krijimi mundësive për punë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në RMV”. Përveç Kryeministrit, fjalime hyrëse patën edhe Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha dhe përfaqësuesi i USAID-it në vendin tonë, Erik Janovski.

“Biznesi, bashkëpunimi afarist dhe bashkëpunimi ekonomik janë me rëndësi nëse duam që shtetet të na ecin përpara, ndërsa populli të jetë i lumtur dhe të rinjtë ti mbajmë këtu. Tri vendet tona, RMV-ja, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës kanë bashkëpunim të shkëlqyer para së gjithash në planin politik por edhe në planin afarist. Qytetarët i kemi të lidhur në mënyrë farefisnore dhe miqësore, por potencialet për bashkëpunimin tonë ekonomik janë më të mëdha nga ajo që sot kemi. Si qeveri jemi të fokusuar të ndërtojmë infrastrukturë më të mirë dhe ti përmirësojmë procedurat administrative mes vendeve tona sa më shumë, të ndajmë përvojat me njëri tjetrin dhe të krijojmë atmosferë për të gjithë afaristët e këtij rajoni që të mund të bashkëpunoni, të investoni dhe të ndjeheni sikur në shtëpi”, tha Kryeministri Zaev në fjalimin e tij.

 

Ai shtoi se në mënyrë intensive po punohet për ndërtimin e një infrastrukture e cila do ti lidhë tri vendet, përmendi pjesëmarrjen e tij të fundit gjatë lëshimit në përdorim të autostradës e cila do të lidhë Prishtinën dhe Shkupin dhe informoi se është shpallur procedura e tenderit nga faza e parë e ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm do të shpallet procedura e tenderit edhe nga faza e dytë. Si të rëndësishme theksoi edhe hapjen e terminalit të ri doganor në Qafë Thanë dhe tha se Ministria e Ekonomisë i përfundon të gjitha procedurat administrative për hapjen e “One Stop Shop”, në këtë kalim kufitar.

“Qëllimi ynë është me intensitet të shpejtë të ndërtojmë autostradën Shkup – Bllacë me gjatësi të përgjithshme prej 12.5 km. Autostrada Kërçovë – Ohër ndërtohet me dinamikë të shkëlqyeshme, kemi zgjidhur problemet e mëdha administrative me Bankën Eksim dhe me Republikën Popullore të Kinës e cila qëndron pas këtij projekti përmes linjës kreditore dhe është pjesë e Korridorit të madh panevropian 8 i cili lidh Durrësin, Tiranën, Strugën, Ohrin, Shkupin, Sofjen deri në Stamboll. Kjo paraqet pjesë të rëndësishme të rrugës e cila do të jep kontribut serioz në avancimin para së gjithash të bashkëpunimit ekonomik”, shtoi Kryeministri Zaev.

 

 

Kryeministri Zaev propozoi zgjidhje edhe për problemin kryesor të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar me të cilin ballafaqohen bizneset që kanë të bëjnë me kualifikimin shtesë, arsimin dual dhe trajnime dhe përgatitjen e kuadrove të kualifikuara, ndërsa përmendi edhe masat për tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta.

 

“Tre vendet tona, RMV-në, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, i pret një kohë e mirë. Republika e Shqipërisë veçse është anëtare e NATO-s, ne presim që në fund të dhjetorit të bëhemi anëtare e NATO-s, ndërsa kjo është njoftim i besueshëm për biznesin se do të ketë stabilitet dhe siguri, do të sundojë paqja dhe do të ketë prosperitet”, tha Kryeministri Zaev.