Kryeministri Zaev në Nju Jork në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Mamadiarov, diskutuan për heqjen e vizave dhe bashkëpunimin në fushën e energjetikës

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, në margjinat e Asamblesë të Përgjithshme të 74-të të KB-së realizoi takim me shefin e delegacionit dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Elmar Mamadiarov.

Dy bashkëbiseduesit në takim shprehën kënaqësi të përbashkët për raportet në mes dy vendeve të përmbushura me marrëdhënie miqësore dhe mirëkuptim.

Kryeministri Zaev në bisedën me ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, shprehu mbështetje për reformat dhe dialogun që ky vend realizon në kuadër të Planit të veprimit për partneritet me NATO-n, si dhe përcaktimi i Azerbajxhanit për të arritur prioritete politike të përbashkëta me Bashkësinë Evropiane.

Në takim Kryeministri Zaev theksoi edhe gatishmërinë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ti mbështetë idetë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e energjetikës me Azerbajxhanin, si vend i cili është partner i gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP-Trans-Adriatic Pipeline).

Një nga masat e para në këtë drejtim është heqja e vizave për qytetarët e Azerbajxhanit në periudhën e ardhshme. Në të ardhmen e afërt pritet të fillojnë negociatat e të dyja vendeve për heqjen e tërësishme të vizave për qëndrime të shkurta për qytetarët e të dyja vendeve.