Miqësia në mes Bullgarisë dhe Greqisë është “ngjitëse” dhe u përhap në të gjithë rajonin. Tani jemi miq me Shqipërinë, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën dhe njëkohësisht nxisim marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet, veçanërisht shkëmbejmë përvoja, mbështesim njëri-tjetrin dhe i tregojmë BE-së se mund të bashkëpunojmë dhe të ndërtojmë një Ballkan tjetër në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, tha Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në intervistën e dhënë për TV Shenja.
“Kur bëhet fjalë për anëtarësimin tonë në NATO dhe përfitimet nga anëtarësimi i plotfuqishëm në Aleancën më të fuqishme dhe më të sigurt në botë, përveç sigurisë dhe stabilitetit, kjo nënkupton edhe përfitime më të mëdha ekonomike. Për një kohë të shkurtë Maqedonia e Veriut dhe kompanitë nga vendi ynë, do të kenë të drejtë të marrin pjesë në punën logjistike dhe operacionet e NATO-s. Kjo do të thotë qasje deri në dhjetëra miliarda euro dhe për këtë po përgatisim të gjitha kushtet që kompanitë tona të jenë të gatshme. Në këtë drejtim, në mbledhjen e fundit sollëm dhe e dërguam në Kuvend për miratim të mëtejshëm Propozim-ligjin për investime strategjike. Kjo zgjidhje ligjore do të mundësojë që në vendin tonë të vijnë investime të mëdha, prej më së paku 100 milionë euro në nivel nacional. Paralajmërojmë 5 investime të tilla të mëdha. Bëhet fjalë për investime me interes të veçantë publik dhe për këtë vendosëm që të njëjtat duhet të miratohen dhe mbështeten edhe nga Kuvendi i RMV-së”, tha Kryeministri Zaev në intervistën për TV Shenja.
Me rendësi për non-pejperin e ardhur nga Franca, është që në të, në mënyrë absolute është paraparë se qëllimi përfundimtar i metodologjisë së re është anëtarësimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha Kryeministri Zaev.
“Non-pejperi u dërgua tek ne, në të njëjtën kohë kur iu shpërnda edhe vendeve tjera anëtare te BE-së. Tani këtë dokument, në mënyrë formale duhet ta precizojë edhe Komisioni Evropian dhe i njëjti në mënyrë zyrtare të pranohet nga Këshilli Evropian. U kërkua nga ne që të japim mendimin tonë dhe ne do ta bëjmë një gjë të tillë.
Mbetet që të vazhdojmë me reformat dhe miratimin e standardeve të BE-së në vend. Të mos harrojmë se, rritjen më të madhe të tyre, vendet kandidate për anëtarësim në BE, e arritën gjatë kohës së negociatave, kur vëmendja e tyre ishte në reformat e brendshme dhe në transformimin e shoqërive në vend sipas standardeve evropiane”, tha Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në intervistën e dhënë për TV Shenja.