Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në një deklaratë për mediat vlerësoi pjesëmarrjen e delegacionit qeveritar në Takimin e liderëve të NATO-s me rastin e 70 vjetorit të ekzistencës së Aleancës.
Në vazhdim të kësaj kumtese e përcjellim deklaratën e Kryeministrit Zaev::
Këto dy ditë në Londër, kur Maqedonia e Veriut është paraqitur në nivel më të lartë qeveritar në Takimin e liderëve të NATO-s, me rastin e 70 vjetorit të Aleancës, realizohet ëndrra, ëndrra e përbashkët e suksesit kombëtar të të gjithë qytetarëve tanë.
E jetojmë ëndrrën e brezave para nesh, të të gjithë qytetarëve dhe liderëve të vendit tonë, të cilët janë të përfshirë në realizimin e aspiratës strategjike që filloi me pavarësinë e vendit tonë - përmbushet aspirata prej një dekade për ta bërë vendin tonë anëtar të NATO-s.
E ardhmja e Maqedonisë së Veriut ka adresë. Në atë adresë është shënuar siguria e përhershme dhe siguria e vendit dhe e qytetarëve. Ajo adresë është Selia kryesore e NATO-s në Bruksel.
Edhe në Bruksel, ashtu si këtu në Londër, edhe një herë do të ngrihet dhe do të mbetet i ngritur flamuri i Maqedonisë së Veriut, si një vend anëtar i plotfuqishëm i aleancës më të fuqishme ushtarake dhe të sigurisë në botë.
Kjo do të ndodh shumë shpejtë, pasi që vendi i fundit anëtar është edhe aleat i ynë – Spanja, do të deponojë ratifikimin e Protokollit për aderimin e vendit tonë për anëtarësim në NATO në Uashington.
Për këtë mora bindje absolute nga Kryeministri spanjoll Sançez.
Këto dy ditë në Londër, në shoqërinë e liderëve të të gjithë shteteve anëtare, në takimet me kryeministrat e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Kanadasë, Boris Xhonson dhe Xhastin Trudo, konfirmojmë se NATO është aleanca më e fortë e sigurisë dhe ushtarake, por edhe simbol dhe sinonim i vlerave më të larta demokratike, ndërsa ne jemi pjesë e kësaj familje të fuqishme.
Si pjesë e mburojës së sigurisë së aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, Maqedonia e Veriut po bëhet faktor për stabilitet në rajon,bartës i sigurisë, vend ku qytetarët, të rinjtë dhe fëmijët kanë të ardhme të sigurt.
Sot me të drejtë mund të themi se jemi pjesë e proceseve globale që na vendosin në rendin e aleatëve me të cilët bashkërisht do të përballemi me gjitha kërcënimet konvencionale dhe hibride për sigurinë dhe paqen.
Ky sukses i brezave të vendit tonë le të jetë nxitje për BE-në ta përmirësojë gabimin e saj në raport me fillimin e negociatave për anëtarësim, ndërsa për ne gjithë në vend le të jetë shtysë që më fortë t’i vazhdojmë reformat dhe ta bëjmë vendin më të mirë për të jetuar.
Të vazhdojmë ta mbajmë motivimin dhe energjinë e fortë që nuk ndaloi gjatë rrugës për anëtarësim në NATO, me forcë të njejtë edhe në procesin e anëtarësimit në BE.
Këtë krenari, që është plotësisht të gjithë qytetarët e ndjejmë këto ditë, është energjia për të vazhduar me vendosmërinë, përkushtimin dhe guximin dhe ta përfundojmë edhe rrugën tonë deri në anëtarësim në BE.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut merituan një të ardhme të mirë, sot NATO e konfirmon atë.