Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, bashkë me zëvendëskryetarin të ngarkuar për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev dhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, ishin nikoqir të delegacionit të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Qendrës së Përbashkët për Hulumtim të Komisionit Evropian (DG JRC).
Qeveria e RMV-së, në përputhje me dokumentin e nënshkruar në Trieste në vitin 2017, nga ana e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, në janar të vitit 2018 solli vendim për fillimin e procesit për përpilimin e “Strategjisë për specializim të zgjuar për hulumtim dhe inovacione për Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Me këtë vendim, Qeveria, duke mbështetur konceptin e BE-së për Specializim të zgjuar, u kyç drejt nismës së Bashkimit Evropian për zhvillim të ardhshëm ekonomik dhe transformim të rajoneve të bazuara në hulumtime vendore dhe inovacione potenciale, njohuri dhe zhvillim teknologjik, si shtytës kryesor të konkurrencës në skenën rajonale dhe globale.
Strategjia për specializim të zgjuar është kusht kryesor për shfrytëzimin e fondeve evropiane, si dhe parakusht i detyrueshëm për shfrytëzimin e fondeve strukturore.
Në bazën e Specializimit të zgjuar është detektimi i fushave kyçe, aktiviteteve dhe teknologjive në të cilat vendi realizon përparësi krahasuese, për të cilat hulumtimi dhe inovacionet janë faktorë kryesor për përforcimin e ekonomisë dhe konkurrencës në tregun global. Në këtë drejtim, grupi punues dhe grupi profesional dhe ekspert në bashkëpunim me ekspertët e huaj, përpiluan hartimin e potencialeve ekonomike, shkencore dhe inovative në vend, të cilin financiarisht e mbështetën BE dhe Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Strategjia për specializim të zgjuar përmes përcaktimit të fushave dhe sektorëve, do të mundësojë investim të drejtuar nga ana e shtetit, shkencës (hulumtim dhe zhvillim) dhe biznesit, si dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe potencialeve për krijimin e vlerës më të lartë të shtuar, inovacione, zgjerim të tregut-internacionalizim, rrjetëzim, zhvillim të brendit dhe njohje.