Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski u takua me Karllo Romeon, ambasador i Italisë në vendin tonë.
Në takim u shpreh mbështetje e fuqishme nga Qeveria e Italisë për rolin e rëndësishëm të Qeverisë kalimtare, për vazhdimin e reformave në vendin tonë, për marrëdhëniet e mira fqinjësore, për proceset integruese të vendit tonë në NATO dhe BE, si dhe për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, si në tre ciklet paraprake zgjedhore në dy vitet e gjysmë të kaluara, që u theksua si detyrim për të gjithë subjektet politike në Qeveri.
Bashkërisht u konstatua se është i nevojshëm angazhimi i të gjitha subjekteve politike për realizimin e plotë të procesit të integrimit në NATO, për riafirmimin e dialogut, i cili mund të sjell marrëveshje për Ligjin për Prokurori Publike, edhe pse ky Ligj nuk është kusht për integrimet evropiane, si dhe për respektimin e plotë dhe të përpiktë të Marrëveshjes së Prespës, e cila i hapi integrimet në NATO dhe BE.
U vlerësua se periudha deri në zgjedhje është shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh pritjet për anëtarësim të plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, si dhe për funksionimin e institucioneve sipas standardeve të vendosura demokratike dhe evropiane, në prag të Samitit të Zagrebit dhe përparimin e pritur në integrimet evropiane.
- I realizuam të gjitha proceset e duhura reformuese gjatë dy viteve të kaluara dhe vazhdojmë si Qeveri të punojmë në këtë drejtim. Realizuam tri cikle zgjedhore të drejta në vitin 2017, 2018 dhe 2019 dhe pres që të gjitha subjektet politike të jenë në krye të detyrës edhe gjatë vitit 2020, ashtu që do të organizojmë zgjedhje të drejta dhe demokratike. Protokolli për anëtarësim në NATO është dërguar për ratifikim në Kuvend dhe në pritje të përfundimit të procedurave teknike në Spanjë dhe pritjet tona janë për mbështetje të gjerë politike për realizimin e këtij qëllimi strategjik të shtetit. Si Qeveri mbetemi të përkushtuar edhe në realizimin e Marrëveshjes së Prespës dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore që i krijuam me fqinjët tanë dhe që kanë kontribuar në perspektivat e shtetit tonë, tha Kryeministri Spasovski.
Kryetari i Qeverisë, Spasovski i’u falënderua Kryeministrit të Italisë, Konte dhe Qeverisë italiane, për mbështetjen e shtetit tonë në të gjitha proceset e rëndësishme zhvilluese dhe demokratike, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës, NATO integrimet dhe përpjekjet e Italisë që shteti ynë të fillojë bisedimet e merituara me BE-në.