Spasovski në Londër: Maqedonia e Veriut në bashkë-udhëheqjen e Procesit të Berlinit bashkë me Bullgarinë, e sheh si mundësi për përforcimin plotësues të bashkëpunimit rajonal dhe nxitje për projektet rajonale për ndërlidhje

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski mori pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor, i cili në organizim të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), sot po mbahet në Londër. Me këtë filloi vizita e punës së Kryeministrit Spasovski dhe delegacionit të Qeverisë së RMV-së, në përbërje të së cilit janë edhe ministrja e Financave, Nina Angellovska, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Në  kuadër të kësaj vizite janë paraparë edhe takime tjera.

 

Kryetari i Qeverisë Spasovski, bashkë me Kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiq, me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, me Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija, me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, morën pjesë në panelin në të cilin shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor i prezantuan pikëpamjet e tyre për projektet rajonale për të cilat pritet mbështetje nga BERZH dhe nga institucionet e tjera financiare dhe fondet e BE-së.

Kryeministri Spasovski gjatë sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve për Maqedoninë e Veriut, nga pakoja e projekteve me rëndësi rajonale i ndau projektet infrastrukturore siç është ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore të Korridorit 8, ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, nga korridori mesdhetar perëndimor-lindor, kontrolli i përbashkët kufitar i drejtimit hekurudhor Beograd-Shkup-Selanik, duke përfshirë edhe kalimin e përbashkët kufitar Tabanovcë-Preshevë dhe menaxhimi i përbashkët i kontrolleve kufitare dhe doganore me një pikë ndalese – One-stop-shop, si dhe ndërlidhja e gazit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, me të cilën do të mundësohet ndërtimi i rreth 120 km rrjet gazsjellës (rreth gjashtëdhjetë kilometra në anën e Maqedonisë së Veriut dhe gjashtëdhjetë kilometra në anën e Greqisë), që paraqet iniciativë për zhvillim të korridorit gazsjellës në Evropën Juglindore.

 

“Qëllimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi i RMV-së në BE. Përpjekjet kryesore të Qeverisë janë të orientuara drejt plotësimit të këtij qëllimi,në veçanti marrjen e vendimit për fillimin e bisedimeve aderuese. Në këtë drejtim e pranuam bashkëpunimin rajonal si parakusht për integrim në BE”, potencoi Kryeministri Spasovski në panelin e pyetjeve dhe përgjigjeve në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, të organizuar nga BERZH.

 

Spasovski shtoi se Maqedonia e Veriut e pranoi dhe fuqishëm angazhohet për gjithpërfshirje maksimale në iniciativën për përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe deri tani në mënyrë aktive ka marrë pjesë në samitet rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Novi Sad, Ohër dhe Tiranë.

 

“Si mirënjohje për iniciativat e udhëheqëse të Maqedonisë së Veriut, vendit tonë i është dhënë mundësia për bashkë-udhëheqje me Procesin e Berlinit për bashkëpunim rajonal, bashkë me Bullgarinë. Vendi ynë është vendi i parë jashtë BE-së të cilit i është dhënë ky privilegj dhe këtë e shohim si mundësi për përforcim shtesë të bashkëpunimit rajonal dhe nxitje për projekte rajonale për ndërlidhje”, theksoi Kryeministri Spasovski.

 

Në përfundim të panelit, Kryeministri Spasovski në pyetjen se pse kompanitë e huaja duhet të investojnë në RMV, theksoi se vendi ynë është para formalizimit të anëtarësimit në NATO, që është garancë për stabilitet dhe siguri të investimeve. Fillimi i pritur i bisedimeve me BE-në e bën Maqedoninë e Veriut destinacion të dëshiruar për investime, përfshirë edhe mundësitë nga Programi për rritje ekonomike afatgjatë i Qeverisë, i cili parasheh numër të madh lehtësimesh dhe përfitimesh për investitorët e huaj.

 

Si argument për atraktivitetin e RMV-së për investitorët e huaj, Kryeministri Spasovski theksoi vlerën rekorde të investimeve të huaja nga 740 milionë euro për vetëm dy vite të mandatit në Qeveri të LSDM-së dhe koalicionit, si dhe listën e investitorëve mes të cilëve kompani globale shumë të njohura dhe referente nga Evropa dhe SHBA-të.