Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencën për shtyp informoi se këtë mëngjes në takimin e rregullt me Komisionin për sëmundje infektive dhe komitetin e formuar për ndjekjen dhe informimin e virusit korona, është propozuar që Qeveria të vazhdojë me rekomandimin për mos mbajtjen e tubimeve masive dhe ndeshjeve sportive pa publik, deri më 13 mars.
“Rekomandimi që të mos mbahen tubime masive, si dhe ngjarje sportive të mëdha, në të cilat presim njerëz nga jashtë, të mbahen pa praninë e publikut dhe të vazhdohet edhe për një javë pra deri më 13 mars – të premten e ardhshme. Kjo masë vjen si rezultat pasi numri i njerëzve në Evropë të infektuar me virusin në vazhdimësi po rritet”, informoi ministri Filipçe.
Ai theksoi se nuk ka pacientë të testuar për virusin korona në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile. Gjendja shëndetësore e pacientes të vetme me virusin korona është e mirë.
Ministri Filipçe kumtoi se një ekip epidemiologësh po bisedojnë me dy të huaj të akomoduar në hotel në qendrën e Shkupit, të cilët tre ditët e fundit kanë simptome të gripit. Në vend kanë arritur më 28 shkurt me aeroplanin e “Wizz Air” nga qyteti i Këlnit. Njëri është shtetas i Australisë, ndërsa tjetri i Singaporit. Me epidemiologët folën për kontaktet që kanë pasur dhe për 3 deri në 4 orë do të jenë gati edhe rezultatet e tyre nga testimi për korona. Ata, tani për tani mbeten të izoluar në dhomën e hotelit ku kanë qenë të vendosur.
“Biseduam me operatorët mobil me qëllim që të vendosim edhe një masë të kontrollit. Operatorët mobil dolën në pah dhe presim që të përpunohet zgjidhje teknike me çka të gjithë të huajt që hyjnë në vendin tonë,me porosi të veçantë do të njoftohen me atë se çka duhet të ndërmarrin dhe ku duhet të paraqiten në rast se ju paraqiten simptoma të sëmundjes. Të dhëna identike nga fletushka që e marrin në ndonjë kalim kufitar ose në aeroporte, me mesazh do tju arrijë menjëherë pasi të kyçen në cilëndo rrjet. Operatorët mobil paralajmëruan se kjo mundësi do të jetë në funksion që sot, për çka i falënderoj”, potencoi ministri Filipçe.
Rreth 4250 persona të infektuar me virusin korona në rajonin e Evropës, është rreth 1000 më shumë nga dita e djeshme. Në rajonin tonë, ka pacientë të rinj me virusin korona, një nga Sllovenia dhe dy nga Republika e Serbisë.
“Mbrëmë bisedova me konsullin tonë në Itali. Italia i ka mbyllur të gjitha shkollat dhe universitetet deri më 15 mars, ndërsa në Italinë e Veriut ngelen në fuqi masat e sjella. Konsulli njoftoi se ka shtetas tanë të cilët janë në punë atje dhe për shkak të këtyre masave, sepse një pjesë e madhe e tyre nuk mund të shkojnë në punë, disa duan të kthehen në vendin tonë. Ai po punon që të ketë komunikim intensiv me ata, që eventualisht grupet më të mëdha të organizuara të qytetarëve tanë që do të kishin ardhur nga Italia, të lajmërohen më herët, me qëllim që të fitojmë pasqyrë më të mirë në hyrjen e pasagjerëve”, theksoi ministri Filipçe.