Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dje u takua me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kejt Bërnz , e cila ua uroi Kryeministrit Zaev rizgjedhjen në këtë pozitë dhe i uroi punë të suksesshme të Qeverisë së re në realizimin e programit me pritje për vazhdimësi dhe thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kryeministri Zaev në takim theksoi se ky mandat fillon në kontekst politik më të mirë dhe tërësisht ndryshe, krahasuar me vitin 2017, me demokraci të ripërtërirë, me konteste të zgjidhura me fqinjët, në vit kur Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s dhe pret të fillojë negociatat me BE-në.
Të ballafaquar me sfida shëndetësore dhe ekonomike nga COVID-19, të cilat mbeten në krye të prioriteteve, theksoi në takim me ambasadoren Bërnz, Kryeministri Zaev, jemi të bindur se ballafaqimi me pandemi do të përfundojë me sukses, veçanërisht duke pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm me SHBA-në dhe aleatët e tjerë të NATO-s për tërë mbështetjen humanitare dhe materiale të tjera gjatë krizës.
“Qeveria mbetet fuqimisht e përkushtuar në partneritetin strategjik me SHBA-në, të cilën do të vazhdojmë ta ruajmë me energji të re dhe vendosmëri në krijimin e rritjes ekonomike më dinamike, zhvillimit të qëndrueshëm, arsimit modern, shtet efikas i së drejtës dhe institucione të fuqishme për luftën kundër korrupsionit”, theksoi Kryeministri Zaev në takim.
Ambasadorja Kejt Bërnz, gjatë bisedës me Kryetarin e Qeverisë, Zoran Zaev, theksoi se ky është takimi i tyre i parë si aleatë të NATO-s dhe shtoi se vendi i saj është i gatshëm që raportet mes dy vendeve ti çojnë në nivelin e ardhshëm me mbështetje për investime të drejtpërdrejta nga SHBA, si dhe bashkëpunimin në sferën e energjetikës, ekonomisë digjitale dhe sajber sigurisë, në përputhje me standardet e NATO-s për siguri.