Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, prej më 15 deri më 16 shtator do të realizojë vizitë pune në Republikën e Greqisë, i shoqëruar nga delegacioni qeveritar në kuadër të së cilës do të jenë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje ekonomike dhe koordinim të resorëve ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi, zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zaev, në kuadër të vizitës dyditore në Greqi, do të merr pjesë në “Tavolinën e 24-të e rrumbullakët me Qeverinë greke” organizuar nga magazina prestigjioze “Ekonomist”.
Në tavolinën e rrumbullakët të “Ekonomist”, në të cilën këtë vit dominojnë temat për ballafaqim me pandeminë me COVID-19 dhe nevojën për politika të reja shëndetësore, leksione nga menaxhimi me krizën globale shëndetësore dhe ndikimi i ekonomisë globale dhe evropiane, Kryeministri Zaev do të mbajë fjalim në panel-diskutimin kushtuar Ballkanin Perëndimor.
Bashkë me të, në këtë panel, kushtuar çështjeve për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe reformave që duhet të zbatohen, si dhe për tregti dhe investimet, do të diskutohen edhe reformat e ish presidentëve të Malit të Zi dhe Serbisë, Filip Vujanoviq dhe Boris Tadiq, ish Kryeministri i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zllatko Lagumxhija, si dhe ish ministrja e Punëve të Jashtme e Greqisë dhe deputetja aktuale nga partia Demokracia e Re, Dora Bakojani.
Midis pjesëmarrësve në konferencën dyditore janë edhe Kryeministri grek, Kirjakos Micotakis, ministra nga Qeveria greke, mes të cilëve, për Punë të Jashtme, Shëndetësi, Mbrojtje, Investime, ish Presidenti i Francës, Fransoa Olland, shefi i diplomacisë së Qipros, ambasadori i SHBA-së në Greqi dhe të tjerë.
Në agjendën e vizitës së punës dyditore në Athinë të Kryeministrit Zaev, më 16 shtator është paraparë drekë punë me Kryeministrin e Greqisë, Kirjakos Micotakis, të cilit i paraprinë takimi me Presidenten e Republikës së Greqisë, Katerina Sakellaropullu.
Kryeministri Zaev do të ketë më shumë takime me biznesmenë në konferencën e “Ekonomist”, si dhe me përfaqësues të komunitetit grek të biznesit.
Zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje ekonomike dhe koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi, zëvendëskryetari i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, gjatë kësaj vizite dyditore në Athinë do të realizojnë takime me kolegët e tyre dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë së Greqisë, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani do të realizojë takim pune me homologun e tij grek, shefin e diplomacisë greke, Nikos Dendijas, si takim i parë zyrtar pas emërimit të tij në funksionin e ri.