Takim i Kryeministrit Zaev me ministrin shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Cakaj: Qeveria e re është konfirmim për përcaktimet euroatlantike dhe inkurajim për avancimin e rajonit

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u takua me Gent Cakaj, ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në vend, Fatos Reka.

Në takim u shprehën urime për riemërimin e Kryeministrit Zaev funksionin e Kryeministrit, si dhe për zgjedhjen e Qeverisë së re ku shihet konfirmimi i përcaktimit të qytetarëve dhe shtetit drejt integrimeve euroatlantike.

Kryeministri Zaev u falënderua për urimet dhe dërgoi përshëndetje për Kryeministrin Edi Rama dhe për Qeverinë e Shqipërisë.

Bashkërisht u konstatua se të dyja vendet nuk kanë çështje të hapura dhe se po hapet rrugë që të shfrytëzohet i gjithë potenciali nga sferat e rëndësishme për qytetarët, siç janë infrastruktura, energjetika, ekonomia, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetesës në të dyja shtetet. Në këtë drejtim u bisedua edhe për mundësinë e mbajtjes së mbledhjes ndërqeveritare.

“Qëllimi ynë është evropeizmi i shtetit dhe zhvillimi ekonomik. Formuam Qeveri stabile dhe jemi të orientuar drejt përforcimit të kapaciteteve të sistemit, në veçanti përmes arsimit dhe sundimit të së drejtës. Kemi suksese të mëdha pas nesh, ato janë marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë, ndërtojmë në shtet “Një shoqëri për të gjithë”, të barabartë për të gjithë qytetarët dhe e gjithë kjo mundësoi që në këtë mandat të përkushtohemi në avancimin e vendit në të gjitha fushat në dobi të përditshmërisë së qytetarëve”, theksoi Kryeministri Zaev. 

Në mbledhje bashkërisht u konstatua se rajonit i nevojitet stabilitet dhe zhvillim ekonomik i përforcuar dhe se është në interes të përbashkët zgjidhja e të gjitha çështjeve bilaterale nëpërmjet dialogut, sikurse shembulli që e dha Republika e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet marrëdhënieve të mira fqinjësore, me qëllim të perspektivave euroatlantike në tërë Ballkanin Perëndimor.