“Mos sjellja e vendimit në mbledhjen në Bruksel është një disfatë për idenë e BE-së, por njëkohësisht është konfirmuar në deklaratën e kryesuesit, ministrit gjerman për çështje evropiane, Mihael Rot, se deri në dhjetor ekzistojnë ende mundësi dhe duhet të vazhdojmë në frymën e dialogut dhe jo përmes konflikteve, të arrijmë deri në zgjidhje”, deklaroi Kryeministri Zaev në emisionin “Klik Plus” në TV 21, duke u përgjigjur në pyetjen për veton e Bullgarisë për mbyllje të suksesshme të kornizës negociuese në kuadër të takimit të ministrave të Bashkimit Evropian.
“Ne alternativë tjetër nuk kemi përveç rrugës tonë evropiane, integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë. Duhet të vazhdojmë të bëjmë përpjekje në frymën e ndërtimit të shoqërisë, dialogut, jo konflikteve. Mua më vjen shumë rëndë, sepse besoj se kjo nuk është dëshira e popullit bullgar, e as e Kryeministrit Borisov. Besoj se këto janë politika në prag të zgjedhjeve, ndoshta të inkurajuara në një dritë të tillë, por të japim mundësi që edhe në ditët e ardhshme që kemi para sepse ekzistojnë ende mundësi”, shtoi Kryeministri Zaev.
Ai theksoi se qëllimi ynë është të jemi racional dhe të vazhdojmë me punët sipas pritshmërive të popullit tanë, ndërsa ajo është të vazhdojmë me hapat edhe më tutje drejt BE-së.