“Prodhimi vendor i ushqimit ka rëndësi të madhe për çdo vend. Kriza me pandeminë me virusin korona e dëshmoi këtë. Në këtë drejtim janë edhe angazhimet e Qeverisë në krijimin e kushteve më të volitshme për prodhimin bujqësor – blegtoral”, theksoi Kryeministri Zoran Zaev në hapjen e investimit të ri të konsorciumit të investitorëve vendas dhe të huaj “International Fresh Food”, në fshatin Ginovcë, komuna e Rankovcit.
Bëhet fjalë për investim sipas standardeve më të larta evropiane me fokus në prodhimin modern të mishit të freskët të pulës dhe plan ambicioz për ndërtimin e fermave, thertoreve dhe sallave në tërë vendet.
Zaev i inkurajoi investitorët që t’i ndjekin trendet, t’i shfrytëzojnë resurset që i kemi në vend, sepse kemi potencial për zhvillim në më shumë sektorë, të prodhimeve dhe shërbimeve me vlerë më të lartë të shtuar, të gatshme për eksport.
Në fillim të investimit të ri të pranishëm ishin edhe Ljupço Nikollovski, zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillim të qëndrueshëm dhe resurse njerëzor, Artan Grubi, zëvendës i parë i Kryeministrit dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Fatmir Besimi, ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë dhe Arjanit Hoxha, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Abdylezel Dogani nga “International Fresh Food” theksoi se edhe krahas kontributit për uljen e importit të mishit të freskët të pulës në vend, do të rritet edhe eksporti në tregjet e huaja duke marrë parasysh që një nga partnerët e investimit është bartës i franshizës KFC për vendet e Ballkanit, që paraqet bazë për plasman të produkteve për KFC, jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë.
“Dua ta falënderoj Qeverinë me të gjitha institucionet e përfshirësi në nivel qendror, ashtu edhe në lokal i cili në konsorciumin tonë njohu partner të besueshëm dhe kompani përgjegjëse. Falënderim për mbështetjen në drejtim të përmirësimit të konkurrencës në tregjet vendore, por edhe ato ndërkombëtare, që rezulton që produktet tona vendore të jenë të njohura dhe sinonim për cilësi”, theksoi Dogani.
Investimi i përgjithshëm i planifikuar për 5 vitet e ardhshme do të tejkalojë shumën prej 50 milionë euro.