Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev u takua me Dimitris Janakakis, ambasador i Republikës së Greqisë, i cili e përfundon mandatin e tij në vendin tonë.
Kryeministri Zaev i’u falënderua ambasadorit Janakakis për kontributin e tij konstruktiv në Marrëveshjen e Prespës, si dhe për angazhimet e sinqerta për avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve.
Bashkërisht u konstatua se vullneti politik për gjetjen e zgjidhjeve është mënyrë e sjelljes evropiane dhe përfitimet janë të dyanshme; përfitime në cilësinë e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, si dhe stabilitet dhe prosperitet.
Në takim u shpreh mbështetja për procesin aderues të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.
“Në mënyrë aktive vazhdojmë me proceset reformuese në vend dhe me dialogun politik, miqësi dhe raporte të mira me fqinjët, sepse e ardhmja jonë është evropiane. Faleminderit për mbështetjen e Republikës së Greqisë edhe në realizimin e këtij qëllimi strategjik të vendit tonë”, tha Kryeministri Zaev.
Në takim u bisedua për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, përmes bashkëpunimit më të madh të odave ekonomike, në pjesën e infrastrukturës, për lehtësimet ndërkufitare për lëvizjen e qytetarëve.
U konstatua se vazhdon bashkëpunimi i dy vendeve edhe në kohë të pandemisë dhe se ekzistojnë mundësi edhe më të mëdha për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në të gjitha sferat.