Paga mesatare e paguar neto për të punësuar në muajin nëntor të vitit 2020 është 27.588 denarë dhe është më e lartë për 7% në raport me muajin e njëjtë të vitit 2019, më saktë për 1.801 denarë.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, në nëntor të vitit 2020 në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2019, është regjistruar rritje e pagës neto për të punësuar në sektorët: bujqësi, pylltari dhe peshkim (8.5%), në industrinë përpunuese (7.3%), furnizimi me energji elektrike, gazi, avulli, klimatizimi (4.9%), informacioni dhe komunikimi (9.4%), aktivitetet financiare dhe veprimtaritë e sigurimit (2%), si dhe në aktivitete të tjera të shumta.
Në mënyrë plotësuese, rritja e tillë në pjesën më të madhe ndodh edhe falë rritjes së pagës mesatare të paguar neto për të punësuar në sektorët: art, argëtim dhe rekreacion (11.2%), aktivitete shëndetësore dhe për mbrojtje sociale (11.2%) dhe arsim (9.5%). Pagat më të larta neto janë regjistruar në sektorët e informacionit dhe komunikimit, si dhe aktivitetet financiare dhe të sigurimeve.
Qeveria në konsultim me të gjithë aktorët relevant të shoqërisë, sindikatat, odat, organizatat e punëdhënësve, krijon ambient për rritjen e pagës mesatare dhe minimale në katër vitet e ardhshme.
Jemi të përkushtuar në realizimin e normave të rritjes ekonomike prej 4-5% dhe rritjen e pagave për 20% deri në 30% ose deri në 34 mijë denarë në katër vitet e ardhshme në mënyrë që të përmirësojmë standardin e qytetarëve dhe ekonominë në vend.