Një vit pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me "MasterCard", sot u mbajt një takim pune në të cilin u prezantua zgjidhja për identifikimin digjital të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në takimin e punës morën pjesë kryeministri Zoran Zaev, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Jeton Shaqiri, ministri i Financave Fatmir Besimi dhe përfaqësues të lartë të kompanisë “MasterCard”, përfaqësues të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Inteligjencës Financiare.
Kryeministri Zoran Zaev theksoi se me ndihmën e identifikimit digjital, qytetarët bëhen pjesë e proceseve moderne të komunikimit digjital në Evropë dhe botë.
“Me këtë mundësi ne bëjmë një hap të madh dhe të rëndësishëm në digjitalizimin e identitetit tonë personal, që është parakusht për shumë shërbime të sigurta të rrjetit në vend dhe në botë. Me fjalë të tjera, dokumentet që do të nënshkruhen përmes këtij aplikacioni do të njihen jo vetëm në vendin tonë, por në të gjitha vendet në Evropë dhe kudo ku shitet shërbimi elektronik i kartës së identitetit të “MasterCard”-it. Zgjidhja e zhvilluar nga MasterCard mund të përdoret nga institucionet, por edhe nga subjektet afariste që duan të përfitojnë nga teknologjia, të vendosin digjitalizim të proceseve të tyre dhe t’i zëvendësojnë letrën dhe stilolapsin me dokumente elektronike, nënshkrimin elektronik dhe aprovimin përmes telefonave të mençur. Identifikimi digjital do të mundësojë që çdo proces ose procedurë që kërkon nënshkrim dhe prani personale të bëhet nga shtëpia, puna apo kudo tjetër përmes telefonave celular”, tha kryeministri Zaev.
Kryeministri Zaev theksoi angazhimet e Qeverisë për të transformuar institucionet dhe për të lëvizur drejt shfrytëzimit të përfitimeve gjithnjë e më të mëdha që i ofrojnë veglat digjitale. Aplikacioni celular për të cilin “MasterCard” po punon vitin e kaluar me mbështetjen e institucioneve tona, bën të ditur shërbimi për media i Qeverisë, do të ndryshojë mënyrën e punës së institucioneve, por edhe më e rëndësishmja është ajo se do të thjeshtësojë jetën e përditshme të qytetarëve.
"Ky muaj shënon një vit nga nënshkrimi i memorandumit për krijimin e një shërbimi identifikimi digjital për qytetarët e Maqedonisë Veriore. Ne mund të implementojmë sisteme më bashkëkohore për shërbimet elektronike, të investojmë në pajisje dhe softuer, por pa mjete të identifikimit elektronik, ne i kthejmë qytetarët në sportele sikurse para disa dekadave. Jetojmë në një kohë kur teknologjia po ndryshon jetën tonë për të mirë dhe të gjithë duhet të kontribuojmë për këtë. Me vendosjen e shërbimit të identifikimit digjital, qytetarët nga shtëpitë e tyre do të aplikojnë për shërbimet në shtet dhe shërbimet e kompanive në sektorin privat”, theksoi ministri Jeton Shaqiri.
Ministri Shaqiri bëri të ditur se duke përdorur shërbimin e identifikimit elektronik, institucionet publike dhe kompanitë në sektorin privat me siguri do të njohin identitetin e personit që ka kërkuar shërbimin dhe se i njëjti person konfirmon zbatimin e këtij shërbimi, pa mundësi për ndonjë lloj mashtrimi.
“Digjitalizimi është proces që mund të krijojë kushte për rritje më të madhe ekonomike, që na nevojitet sa më shpejtë. Në kuadër të Strategjisë për Rimëkëmbjen dhe Rritjen e Përshpejtuar (SmartER Growth), në përputhjen me të cilën veprojmë në mënyrë që të përshpejtojmë rritjen ekonomike në vend, bëri të ditur Besimi, e dallojmë dhe e vlerësojmë shumë digjitalizimin e ekonomisë dhe shërbimeve publike si parakusht për rritje të përshpejtuar gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Koncepti i ekonomisë digjitale është sistem i koncepteve institucionale dhe përmban arritje të teknologjive progresive, ndërsa qëllimi përfundimtar është që të shërbejë për rritjen e efektivitetit të prodhimtarisë së përgjithshme përmes optimizimit të proceseve dhe uljes së shpenzimeve. Kjo është një ekonomi e bazuar në dituri profesionale, njohje të tregut, por edhe kreativitet dhe shoqëri inovative”, potencoi ministri Besimi.
Ky është shërbimi i parë për identifikimin elektronik të qytetarëve dhe do të jetë i kapshëm në fund të muajit prill. Kjo do të thotë se për shërbimet për të cilat deri më tani qytetarët duhet të konfirmonin identitetin e tyre me prani fizike, këtë do të mund ta bëjnë atë nga kompjuteri i tyre, laptopi ose telefoni celular.