Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ekipi qeveritar ekonomik mbajtën takim online me kryetarin e Odës Ekonomike, Branko Azeski dhe me Shoqatën e Kompanive të Huaja me prodhim të avancuar teknologjik në kuadër të Këshillit për Investime të Huaja, kryetar i së cilit është Viktor Mizo.
Në takim u diskutua për konkluzionet lidhur me çështjet prioritare të prezantuara nga Shoqata në takimin e mbajtur në dhjetor të vitit 2020.
Prioritetet janë në disa sfera kyçe në pjesën e normave doganore për import, infrastrukturë, politikat tatimore, shpenzimet e investimeve, përmirësimin e legjislacionit, si dhe çështje të tjera me qëllim përmirësimin e funksionimit ditor të kompanive.
Kryeministri Zaev theksoi se për Qeverinë ka një rëndësi të madhe rritja e besimit të investitorëve, fillimi i investimeve të reja, nxitja e eksporteve, përforcimi i kapitalit njerëzor dhe me këtë përmirësimi i rritjes së përgjithshme ekonomike në vend.
Në takim diskutuan zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomik dhe investime, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave Fatmir Besimi, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, Jovan Despotovski dhe Dejan Pavleski, drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit.
Në takim u theksua se është shumë e rëndësishme që në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të ketë konsensus lidhur me çështjet që janë në interes nacional për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në mënyrë plotësuese u theksua se sinjal pozitiv është rritja e eksporteve. Sipas statistikave, eksporti i përgjithshëm në janar u rrit për 15.5%, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe është 32.5 miliardë denarë. Ky është muaji i gjashtë me radhë që eksportet rriten dhe gjithashtu regjistrojnë përfshirjen më të lartë të importeve me eksporte me një normë prej 84.7%.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vazhdimësi mbështet kompanitë e eksportit. Në pakon e pestë të masave ekonomike deri në fund të vitit 2021, hiqen norma doganore për 71 produkte dhe lëndët e para. Për kompanitë e eksportit në mënyrë plotësuese janë hequr dhe janë ulur normat doganore për 31 lëndë të para dhe për mish.. Parashikohet gjithashtu rishikim i normës doganore dhe revidim i normës doganore dhe harmonizim me rregullat e tregut të BE-së dhe tregjeve të anëtarëve të Organizatës Botërore të Tregtisë. Masa të tjera qeveritare janë në dispozicion për kompanitë nga të gjitha veprimtaritë.