Zaev: Deri në fund të majit do të kemi mjaft vaksina për të siguruar imunizim pa pengesa të më shumë kategorive të qytetarëve

Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev në intervistë për Tv Kanal 5 mbrëmë theksoi se tani është më e rëndësishme që nisi procesi i  vaksinimit masiv dhe se punohet që të sigurohen të gjitha kushtet që ky proces të mos ndërpritet dhe në këtë drejtim janë të mirëseardhur vaksinat “Sputnik V” nga donacioni i fundit nga Republika e Serbisë.

"Kjo do të na ndihmojë të kapërcejmë periudhën deri në gjysmën e dytë të prillit, gjegjësisht nga 10 deri në 15 prill kur presim sasitë e ardhshme nga mekanizmi KOVAX, si dhe 200 mijë vaksinat ‘Sinofarm’ nga Republika Popullore e Kinës,”  tha kryeministri Zoran Zaev në intervistën për TV Kanal 5.

Të gjithë do të dëshironim të kishim mjaft vaksina në shtëpi, theksoi Kryeministri Zaev, por rrethanat reale janë ato që janë, duhet që ne të flasim realisht.

"Unë shpreha një ndjenjë të pakëndshme, nuk ka asnjë dilemë për këtë, por në të njëjtën kohë ne nuk duhet të kalojmë kufirin dhe të themi se shteti nuk bëri diçka që duhej të kishte bërë. Shteti bëri gjithçka që duhej të bënte. Janë përfshirë disa nga vendet tona të afërta me të cilat po bisedojmë që të kyçen dhe të na ndihmojnë.  Sigurisht që nuk mund të mos konfirmojmë aktin e jashtëzakonshëm të solidaritetit, miqësisë, fqinjësisë së mirë, të cilën Serbia e ka treguar dhe ne do të gjejmë një mënyrë që t’iu shpagohemi qytetarëve të vendit tonë fqinj dhe mik", tha Kryeministri Zaev dhe njoftoi se më maj, do të ketë rreth 350 mijë vaksina në vend, të cilat do të sigurojnë vazhdimësinë e imunizimit të disa kategorive të qytetarëve dhe do t'i japin fund pandemisë.