Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot realizoi takim me nënkryetarin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësues i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë të BE-së Zhozep Borel.
Pas takimit, dy bashkëbiseduesit Zaev dhe Borel dhanë deklarata për rezultatet nga takimet e tjera të delegacionit tonë qeveritar në Bruksel, të cilat ua përcjellim në tërësi.
Teksti integral nga deklarata e Kryeministrit Zaev
“I nderuar nënkryetar Borel,
Të nderuar qytetarë të Bashkimit Evropian dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Po e përfundoj vizitën time të punës në Bruksel dhe me të vërtetë është kënaqësi që një prej takimeve të mia të fundit është me nënkryetarin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë të BE-së Zhozep Borel.
Kishim diskutim të frytshëm për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Këto ditë në Bruksel ne kemi mision të qartë – ta dërgojmë mesazhin nga qytetarët maqedonas deri te përfaqësuesit e BE-së se punuam shumë, kemi dhënë rezultate dhe duam të japim pjesën e duhur në të ardhmen e Evropës.
Frymojmë, jetojmë dhe rritemi bashkë me idetë dhe vlerat evropiane. Dhe e dimë s nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës evropiane, Ne jemi të përkushtuar në vlerat e përbashkëta dhe në zbatimin e standardeve dhe kritereve të BE-së. Nuk duam më të rrimë dhe të presim. Duam të lëvizim para sepse kjo është rruga evropiane, mënyra evropiane. Ne jemi për lëvizshmëri, jo për mure!
Nuk kërkojmë më shumë se nga ajo që e kemi merituar, ndërsa ajo është të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare sa më shpejtë. Që në mars të vitit 2020 u konfirmua se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar detyrimet e saj dhe se tani është koha që BE të veprojë.
A mund të flasim për Ballkanin Perëndimor pa Maqedoninë e Veriut? A mund të flasim për Evropën pa Ballkanin Perëndimor? Jo!
Gjatë dekadave të fundit dhe në shekullin e fundit ne luftuam shumë me qëllim të gjejmë rrugën drejt paqes dhe tolerancës. Edhe tani jemi të gatshëm të integrojmë, të ëndërrojmë së bashku dhe bashkë të arrijmë rezultate.
Hap pozitiv para për Maqedoninë e Veriut do të përfaqësonte mesazh inkurajues për tërë rajonin. Hap pas për Maqedoninë e Veriut do të thotë mesazh dekurajues, një mesazh për tërë Ballkanin Perëndimor.
Unë e di këtë dhe liderët evropian e dinë këtë. Ta bëjmë këtë së bashku në mënyrë evropiane!
Ju faleminderit!”
Teksti integral nga deklarata e nënkryetarit të Komisionit Evropian dhe Përfaqësues i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, Borel
“Jam i lumtur që i urova mirëseardhje Kryeministrit Zaev sot në selinë e Shërbimit Evropian për veprim të jashtëm.
Dje biseduam me ministrat e punëve të jashtme të vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor dh e për përkushtimin tonë të vazhdueshëm, madje edhe të përforcuar ndaj këtij rajoni. Ministrat e riafirmuan perspektivën evropiane për tërë rajonin. Ka mbështetje shumë të fuqishme që sa më shpejtë të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut.
Më lejoni të theksoj shumë qartë: nuk ka mbështetje për “ndarje” – as në institucionet e BE-së, as mes vendeve – anëtare. Maqedonia e Veriut i realizoi kushtet e nevojshme për fillimin e negociatave për aderim dhe ngjashëm si Shqipëria, meriton të vazhdojë në fazën e ardhshme të procesit pa shtyrje.
Do të doja ta theksoj nivelin e lartë të pajtueshmërisë tuaj me pozitat dhe vendimet për politikë të jashtme dhe të sigurisë. Ne e vlerësojmë këtë si edhe një shprehje të përkushtimit tuaj ndaj rrugës evropiane të shtetit tuaj.
Maqedonia e Veriut ka mbështetjen tonë, kur bëhet fjalë për gjetjen e zgjidhjes për avancimin e rrugës aderuese, por gjithashtu kur bëhet fjalë për vaksinat (sapo e dërguam grupin e parë me gjithsej 120.000 vaksina tërësisht të financuara nga BE-ja për Maqedoninë e Veriut) ose sfidave gjeopolitike.
Angazhimi ynë ishte i qartë në takimin e sotëm dhe ishte gjithashtu i qartë dje në diskutimet me 27 ministrat e punëve të jashtme të BE-së."