Forcimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit në sferën e arsimit, veçanërisht në sferën e reformave në arsimin fillor dhe të mesëm profesional ishte temë diskutimi e ministrave të Arsimit të të dy vendeve, Milla Carovska dhe Zija Selçuk në takimin e sotëm të punës në Ankara (R.Turqisë).
Në takim, Carovska dhe Selçuk shkëmbyen përvoja në lidhje me teknologjitë e reja që aplikohen në arsim, hulumtimet e përbashkëta në fushën e arsimit, si dhe përgatitjen e materialeve arsimore dhe bashkëpunimi në fushën e projekteve kërkimore shkencore.
Në takim, ministrja Carovska falënderoi për mbështetjen që Maqedonia e Veriut merr nga Republika e Turqisë në sferën e modernizimit të arsimit.
Ministri Selçuk përshëndeti përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të përmirësuar kushtet në arsim dhe theksoi se Turqia është një partner i fortë dhe mbështetës i Maqedonisë së Veriut në realizimin e këtyre proceseve.
Të dy ministrat shkëmbyen përvoja në lidhje me mësimdhënien gjatë kohës së pandemisë dhe u dakorduan se pandemia i përshpejtoi proceset e transformimit në arsim që ofrojnë mundësi për ndryshime, përparime dhe modernizime afatgjata.
Delegacioni nga Maqedonia e Veriut i përbërë prej ministres Milla Carovska , zëvendës- ministrit të Arsimit dhe Shkencës Arafat Shabani dhe këshilltarit shtetëror për politika arsimore , Gjonul Bajraktar, ka planifikuar gjithashtu të takohen me kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Mustafa Shentop . Gjithashtu , ata vizituan selinë qendrore të TIKA-s ku diskutuan për mbështetjen në fushën e infrastrukturës shkollore në Maqedoninë e Veriut.