Zëdhënësit e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha, në konferencën e sotme për shtyp informuan për konkluzat dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e djeshme të 72-të të Qeverisë dhe u përgjigjën në pyetjet në interes të mediave dhe gazetarëve.
Zëdhënësit informuan për vendimin për ndërprerjen e vlefshmërisë së masës me të cilën të gjithë personat fizik, vendas dhe të huaj - udhëtarët nga vendet e kontinentit Afrikan dhe Brazilit, të cilët hyjnë në pikat kufitare në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, detyrimisht duhet të udhëzohen në izolim 14-të ditor (karantinë), gjegjësisht kjo masë të vazhdojë të zbatohet vetëm për personat e huaj fizikë - udhëtarët nga Republika e Indisë.
Në këtë mbledhje Qeveria e miratoi ndryshimin e dekretit me të cilin vazhdohet afati për aplikim për ndihmë financiare në bujqësi për vitin 2021 prej 31 maj në 30 qershor të këtij viti, me qëllim të mundësohet që të gjitha ekonomitë bujqësore të aplikojnë për ndihmë financiare. Gjithashtu po bëhet ndryshim dhe po ulet numri i kolonive të bletëve nga 15 koloni bletësh në 5 koloni bletësh për prodhuesit që kanë kushte të kufizuara të prodhimit.
Në konferencën për shtyp zëdhënësit e Qeverisë informuan për Informacionin e përgatitur nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, lidhur me përgatitjen e kartelave elektronike (M-Smart Card) për automjete motorike të udhëtarëve nga Republika e Serbisë të cilët do të tranzitojnë në Korridorin 10 gjatë sezonit të verës në periudhën nga 15.06.2021 deri në 15.8.2021.
Ata theksuan se Ministria e Financave është e detyruar të transferojë fonde në vlerë prej 172.000.000,00 denarë për furnizimin e 200.000 të ashtuquajtura M-Smart Card, ndërsa në rast se do të ketë mjete të pashfrytëzuara, ato do të kthehen në llogarinë e Buxhetit shtetëror.
Ministria e Punëve të Brendshme është e detyruar për shpërndarjen e kartelave elektronike të automjeteve me turistë serbë që do të hyjnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes kalimit Kufitar “Tabanoc”.
Në pyetjen e gazetarit lidhur me llogaritjet për numrin e kartelave, zëdhënësi Arsovski theksoi se ato janë bërë përmes analizave të automjeteve të kaluara në vitet e mëparshme, nëse marrim parasysh faktin se vitin e kaluar për shkak të pandemisë me KOVID-19 kufijtë ishin pothuajse të mbyllur gjatë gjithë kohës.
“Krahasimi është bërë nga viti 2019 kur kishte një rekord të të ardhurave nga pagesa në pikë pagesat dhe në të cilat tranzituan gati se numër rekord të automjeteve me turistë. Pra, për sa i përket numrit, kjo analizë është nxjerrë prej aty dhe është arritur ky numër prej 200.000 kartelave. Lidhur me përpunimin, për këtë është përgjegjëse Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore", tha Arsovski.
Njëkohësisht duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit për llogaritjen se sa do të kursejnë turistët serb, ai informoi se 760 denarë do të ketë në secilën kartelë, aq sa kushton transiti përgjatë Korridorit 10 përmes Maqedonisë së Veriut.
Zëdhënësit njoftuan që në mbledhjen e djeshme anëtarët e Qeverisë e shqyrtuan dhe e miratuan Informacionin për themelimin e grupit ndër-institucional të punës për shkak të avancimit të bashkëpunimit të dakorduar, ku marrin pjesë përfaqësues të organeve nga administrata shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nga organet e pavarura të administratës shtetërore që marrin pjesë në harmonizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Zëdhënësit e Qeverisë theksuan se formimi i këtij grupi të punës ka për qëllim të kontribuojë në finalizimin dhe arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat është iniciuar procedura për harmonizimin dhe avancimin e bashkëpunimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në fusha të ndryshme.
Zëdhënësit informuan se Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për shkëputjen e Marrëveshjes me Shoqatën “Invoka Group” , SHPKNJP.
Shkëputja e Marrëveshjes është për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve, ndërsa njëkohësisht Qeveria e ngarkoi Sekretariatin e Përgjithshëm të zbatojë procedurë për zgjedhjen e operatorit për mirëmbajtjen e softuerit për dhënien e provimeve në institucionet shtetërore.
Në konferencën për shtyp u kumtua se Qeveria diskutoi për Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili në mbledhjen e fundit me iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë, e shfuqizoi nenin 163 nga Ligji për bankat, sipas të cilit Fondi për Sigurimin e Depozitave, i cili është krijuar që të garantojë sigurimin e pagesave të depozitimeve të kursimeve deri në 30.000 euro, është i pari që i paguan kërkesat kur një bankë falimenton.
Me shfuqizimin e këtij neni është krijuar një vakum ligjor me ç’rast Qeveria miratoi konkluzë për nevojën e miratimit të një Ligji të ri me të cilin do të definohet interesi publik, konkluduan anëtarët e Qeverisë.
Zëdhënësi Hoxha duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit theksoi se Ministria e Financave në afat prej 15 ditëve do të përgatisë ndryshime dhe plotësime të Ligjit për bankat, me qëllim që të plotësojë boshllëkun ligjor dhe të sigurojë mbrojtje të barabartë të kursyesve, në përputhje me ligjet evropiane. Ai theksoi se më pas do të debatojë për propozimin e MF-së dhe do të sillen konkluzat, ndërsa për të njëjtat do të informohet opinioni.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit në lidhje me rastin e karburantit të kontestueshëm, zëdhënësi Arsovski informoi se përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara nga Qeveria për të vepruar plotësisht për hetimin e rastit lidhur me këto dyshime për importin e derivateve të naftës të rrezikshme për shëndetin dhe ambientin jetësor i prezantuan veprimet e deritanishme duke vepruar sipas detyrimeve qeveritare dhe aktiviteteve të planifikuara në të ardhmen në takim pune.
“Takimet e punës dhe koordinimet institucionale vazhdojnë deri në fund të afatit prej 14 ditëve nga detyrimi i marrë për secilin prej tyre. Ne ritheksojmë se Qeveria është e vendosur të sqarojë këtë rast dhe se nuk do të bëjë kompromis kur bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve dhe të drejtën për një ambient të shëndetshëm jetësor", theksoi Arsovski.
Lidhur me licencat e revokuara për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, zëdhënësi Arsovski theksoi se Komisioni nga Ministria e Shëndetësisë arriti në përfundimin se është vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për kontrollin e barërave narkotike dhe substancave psikotrope në lidhje me mos-sigurimin e funksionimit të video-monitorimit 24-orësh në të gjitha ambientet ku rritet kanabisi, nuk ka qenë i siguruar asnjë paketim dhe shënim i lules së thatë në përputhje me Ligjin. Gjithashtu, nuk kanë qenë të plotësuara kushtet në fushën e pajisjeve dhe stafit, ndërsa licencat në përputhje me Ligjin lëshohen gjatë plotësimit të kushteve për pajisje dhe staf.