Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në kuadër të agjendës së vizitës së sotme në Republikën e Bullgarisë, u takua me kryetaren e Partisë Socialiste Bullgare (BSP), Kornelija Ninova.
Në takimin ku morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, Kryeministri Zaev dhe kryetarja e BSP-së Ninova, u dakorduan se bisedimet e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian duhet të fillojnë më shpejtë dhe se çdo mbështetje në këtë drejtim është shumë e rëndësishme.
Kryeministri Zaev dhe zëvendëskryeministri Dimitrov gjatë bisedës potencuan se investimi për realizimin e këtij qëllimi është i madh dhe se delegacioni qeveritar maqedonas është në Sofje me qëllime të sinqerta dhe të ndershme, që të bëhet hap i përbashkët drejt zgjidhjes, për të cilën ekzistojnë kushte serioze që e njëjta të sigurohet në periudhën e ardhshme.
Gjatë bisedës, kryetarja e BSP-së Ninova e përshëndeti qasjen proaktive dhe të sinqertë të Kryeministrit Zaev, me qëllim që të sigurohet hap para për zgjidhjen për zhbllokimin e procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe se kjo është shumë e rëndësishme për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Zaev dhe Ninova në takim u dakorduan se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë dëshirë dhe kapacitet për lidership evropian në raport me gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për çështjet e hapura dhe se në këtë drejtim ndihmë e madhe mund të jenë edhe vlerat e përbashkëta të BSP-së dhe LSDM-së, si parti simotra.